Të paktën 22 palestinezë, përfshirë 15 gra dhe fëmijë u vranë ndërsa 80 të tjerë u plagosën në sulmin e Izraelit ndaj një shkolle në të cilën qëndronin të zhvendosurit.
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e qeverisë në Gaza thuhet se "Izraeli kreu masakër të re në shkollën 'Mufti', ku qëndronin mijëra palestinezë të zhvendosur, në kampin e refugjatëve Nusseirat në pjesën qendrore në Gazës".
"Pushtuesi e kreu sulmin duke ditur se në shkollën 'Mufti' ndodheshin mijëra gra dhe fëmijë të cilët i ka dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. Kjo shkollë u bombardua edhe nuk ndodhej në zonat e përcaktuara nga pushtuesi si zonë lufte", thuhet në deklaratë.
Më tej rikujtohet se në qendrat e strehimit qëndrojnë qindra mijëra palestinezë që ushtria izraelite i ka zhvendosur me sulmet e saj që vazhdojnë prej më se një viti dhe se me sulmin e kryer ndaj shkollës "Mufti" është rritur në 191 numri i sulmeve që Izraeli ka kryer deri më sot ndaj qendrave të strehimit.
Deklarata dënon ashpër sulmin e kryer ndaj shkollës që përdorej si strehë dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalojë sulmet e Izraelit që vazhdojnë kundër civilëve të zhvendosur.
Një burim nga spitali Al-Awde në Gaza, për gazetarin e AA-së ka thënë se 18 persona humbën jetën si pasojë e sulmit izraelit që shënjestroi shkollën dhe se në spital ishin dërguar shumë të plagosur përfshirë fëmijë dhe gra.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 42.227 palestinezë, përfshirë të paktën 17 mijë fëmijë dhe 11.378 gra ndërsa 98.464 të tjerë u plagosën. Ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar./aa