Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, njëherazi kryetare e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku në një deklaratë për mediet mbi hapjen e grup-kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, u shpreh se Shqipëria ka nevojë për të punuar në disa fusha.
Deputetja e Partisë Demokratike theksoi se Shqipëria duhet të punojë në reformat për plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhshme, lufta ndaj korrupsionit, angazhimi real për përmbushjen e reformave, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Kushtetueses.
Tabaku u shpreh më tej se dokumenti që ka shkuar në Bruksel, nuk është konsultuar me shoqërinë civile.
“Për Partinë Demokratike, ky është më shumë sesa një hap burokratik, pasi gjykojmë se është kulmimi i një përpjekje kolektive të shqiptarëve të nisur që në 1992 ku ëndrra e përbashkët ishte Bashkimi Europian dhe shteti i së drejtës. Ne, si Parti Demokratike, kemi dëshmuar me vendosmëri dhe përkushtim tonë për këtë proces, duke ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe shpesh të dhimbshme për një integrim sa më të shpejtë të vendit”, u shpreh Tabaku.
“Partia Demokratike është e vetëdijshme që sot ndodhemi larg një vendi me kushte të plotësuara, por ne besojmë se ky është një proces për Shqipërinë e shqiptarët jo për politikën. Prandaj e mbështesim avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe angazhimi jonë në këtë proces ka qenë i qartë. Pasi besojmë që ne që ishim nismëtarët e këtij procesi do ta përfundojmë atë. Ne e konsiderojmë këtë proces si mënyrën e vetme për të ndryshuar e transformuar vendin, për të rritur mbikëqyrjen e llogaridhënien, monitorimin veçanërisht me procesin zgjedhor së afërmi”, theksoi Tabaku.
Sipas saj, “prandaj gjatë diskutimit të roadmap ne kemi shprehur disa konsiderata dhe qëndrime që mendojmë se duhet të ishin reflektuar në dokument dhe për të cilit kam informuar njëkohësisht dhe Komisionin Europian dhe delegacionin e BE në Tiranë”.
“Fatkeqësisht qeveria ka nisur një luftë të pandershme dhe në kundërshtim me frymën e BE duke injoruar rolin e opozitës që ka në këtë proces. Në një shtet normal dhe demokraci normale, procesi integrimit nuk është ekskluziv i qeverisë duke dëshmuar një mentalitet të shëmtuar komunist të së shkuarës ku ndasia ishte fjala kryesore e ligjërimit politik. Duke dëshmuar një hipokrizi ku nga një anë kërkojnë dialogun dhe nga ana tjetër nuk e përfshijnë as parlamentin dhe as forcën kryesore politike në kuvend që kanë kontribuar në këtë proces”, tha Tabaku.
“Dy javë më parë në hartimin e roadmap ne ngritëm disa shqetësime në pozicionet negociuese dhe lidhet me një mungesë e theksuar për një angazhim real në lidhje me mungesën e reformave që janë qendra që lidhen me reforma për plotësimin e kritereve dhe këshillave të OSBE-ODIHR në lidhje me zgjedhjet që qeveria shqiptare i ka shtyrë për ti zbatuar në vitin 2026 duke shkelur angazhimin. Për ne ishte e pakuptimtë që reforma zgjedhore të shtyhej pa pasur ndryshime për zgjedhjet, që janë vitin e ardhshëm”, theksoi Tabaku.
Ajo ngriti shqetësimin edhe të respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Respektimi dhe zbatimi për vendimet e Gjykata Kushtetuese që lidhen jo vetëm me mbrojtjen politike për mandatin e një deputeti të parlamentit të Shqipërisë, por edhe me vendime të tjera që lidhen për ligjin për komisionet hetimore, rregulloren e parlamentit dhe ligjin e profesioneve të lira që nuk zbatohen. Ndërkohë që sot kolegë të opozitës janë përjashtuar nga Kuvendi me rregullore që janë konsideruar antikushtetuese”, u shpreh Tabaku.
Ajo akuzoi qeverinë se ka dy standarde në lidhje me MSA dhe me luftën ndaj korrupsionit.
“Që lidhet me dhënien e kontratave që e kemi shprehur si shqetësim edhe në pozicionin negociues por edhe në roadmap. Nga ana tjetër kemi sugjeruar masa konkrete për sa i takon lidhjes së politikës me krimin e organizuar dhe shqetësimin që kjo ka penetruar edhe në struktura si Policia e Shtetit. Kemi propozuar një komision që do të verifikojë lidhjet e policisë me krimin e organizuar”, theksoi Tabaku./ata