Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se provokimet serbe do të dështojnë.
Ai teksa e ka quajtur shkelje të marrëveshjes shkeljen e vijës ndarëse kufitare në Merdarë nga xhandarmëria serbe, tha se për këtë tashmë kanë njoftuar partnerët. Ministri i Punëve të Brendshme u shpreh se këto shkelje do t’i prezantojnë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshme për bashkëpunim.
Ministri, Sveçla po ashtu theksoi se institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë për zmbrapsjen e qëllimeve hegjemoniste të shtetit serb. Ndërsa, shtoi se Kosova është e gatshme të ballafaqohet me çdo sfidë.
Këto komente i pari i ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i bëri pas pjesëmarrjes në debatin me temën “Roli i Inteligjencës Artificiale (IA) në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Sigurinë Kombëtare” i organizuar nga Qendra Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET).
Gjatë ditës së djeshme pranë stacionit policor kufitar në Merdarë, në anën serbe, është parë një makinë e tipit Land Rover me targa serbe, e cila dyshohej të ishte në pronësi të xhandarmërisë serbe.
Sipas Policisë së Kosovës në atë makinë gjendeshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe. /Kosvapress/