Aktivistë u mblodhën para ndërtesës së parlamentit suedez për të protestuar ndaj mbështetjes së qeverisë për Izraelin.
Protesta u drejtua nga aktivisti suedez hebre Dror Feiler.
Demonstruesit me pankarta ku shkruhej “Fund gjenocidit në Gaza”, “Jo okupimit” dhe “Palestinë e lirë”, kërkuan t’i jepet fund mbështetjes së Suedisë për Izraelin.
Protestuesit marshuan nga parlamenti ndërsa i kërkuan qeverisë të anulojë mbështetjen e saj për Izraelin, duke përmendur shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Rripin e Gazës.
Feiler theksoi për Anadolu rëndësinë e kësaj dite, që përkon me përvjetorin e Nakbas.
“Kanë kaluar 76 vjet që nga fillimi i Nakbas së Madhe dhe ajo është ende në vazhdim. Prandaj, ne u mblodhëm për të mbajtur një lloj marshimi të heshtur për të përkujtuar këtë përvjetor të tmerrshëm, 76 vjet shpronësim dhe vdekje, me shpresën për një të ardhme më të mirë”, tha Feiler.
Ai theksoi rëndësinë e unitetit në këtë kauzë. “Ne po luftojmë së bashku. Nuk ka rëndësi nëse jemi hebrenj, muslimanë, të krishterë apo jobesimtarë. Kjo ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar. Ne të gjithë duhet të luftojmë për këtë”, deklaroi Feiler.
Ai kërkoi që qeveria izraelite të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj në Gaza.
“Qeveria izraelite, përgjegjëse për shkeljet e ligjit ndërkombëtar në Gaza, duhet të gjykohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë. Anëtarët e qeverisë izraelite duhet të përfundojnë jetën e tyre në të njëjtin burg ku u mbajtën Slobodan Millosheviqi dhe Radovan Karaxhiqi”, tha Feiler./aa