Klevis Balliu, koordinator Rajonal i Partisë Demokratike për Tiranën, në një deklaratë për mediet u shpreh se Gjykata e Lartë, me në krye Sokol Sadushin, ka kryer një “puç” kushtetues, ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nga selia blu, Balliu tha se Sadushi ka ligjëruar pronarët e shpronësuar për efekt të ligjit të legalizimit të kundërshtojnë në Gjykatë procesin e legalizimit në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese më 10 tetor 2007.

Sipas Balliut, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2007, thotë se pronarët e shpronësuar për efekt të ligjit të legalizimit nuk legjitimohen të kundërshtojnë në gjykatë procesin e legalizimit të ndërtimeve informate të mbi të mbi 500 mijë familjeve, por pronarët e shpronësuar mund t’i drejtohen Gjykatës vetëm për të kundërshtuar vlerën e shpronësimit të pronës së tyre.

“Partia Demokratike e Shqipërisë, në një deklaratë të mëhershme ka theksuar kërkesën e saj drejtuar Gjykatës së Lartë për të udhëzuar gjykatat administrative që do të shqyrtohej në Gjykatën e Lartë nga Kolegji Administrativ. Por, Gjykata e Lartë, e urdhëruar nga pushteti, me në krye Sadushin me grusht në ballë, nuk lejoi që kjo gjykatë të veprojë në zbatim të Vendimit Nr. 35 të Gjykatës Kushtetuese.

Sadushi ka votuar një herë kundër vendimit Nr. 35 të Gjykatës Kushtetuese në cilësinë e anëtarit të saj, në pakicë, në kohën e miratimit. Në pozicionin e tanishëm me vendimin Nr. 357, datë 19.09.2024 të kësaj gjykate, dhënë në çështjen administrative Nr. 31003-00082-00-2017 ai ka kryer puç kushtetues ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Balliu.

Balliu i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që të neutralizojë këtë puç kushtetues të Gjykatës së Lartë.

“Partia Demokratike i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që të neutralizoje këtë puç kushtetues të Gjykatës së Lartë dhe të shfuqizojë vendimin Nr. 357, datë 19.09.2024, në çështjen administrative Nr. 31003-00082-00-2017 të Gjykatës së Lartë. Ky vendim përbën një precedent të rrezikshëm dhe antiligjor për mbi 500 mijë familje shqiptare që kanë përfituar nga ky proces”, tha Balliu./ata