Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2023.

Deputetja e Partisë Socialiste, Enslemvera Zake në cilësinë e relatores, paraqiti disa rekomandime për përmirësimin e punës së institucionit.

Komisioni i rekomandoi KLSH-së të bashkëpunojë me nënkomisionin e auditimit të sektorit publik në zbatim të rekomandimeve, duke i pajisur anëtarët e tij me informacione nga praktikat më të mira, duke përmirësuar cilësinë e raporteve dhe rekomandimeve, duke vendosur edhe një balancë të drejtë midis rekomandimeve afatgjata dhe atyre afatshkurtra.

Po ashtu, i rekomandon që nën shembujt e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Anglisë, të prezantojë brenda dhjetorit të këtij viti një model informacioni në formën e reviste mujore dhe modele raportimi më të thjeshta, më të përmbledhura dhe më të kuptueshme.

Komisioni i rekomandon KLSH-së të angazhohet në përcaktimin e mënyrës dhe metodologjisë së përllogaritjes së dëmit ekonomik që i shkaktohen buxhetit të shtetit, të evidentuar mbi bazë periodike vjetore, referuar praktikave më të mira dhe ta publikojë atë në faqen zyrtare të institucionit.

Më tej, Komisioni i rekomandoi KLSH-së të nisë dhe zhvillojë me partnerët e huaj, përfshirë SIGMA-n e të tjerë, një proces të vlerësimit dhe analizës së strukturës dhe burimeve njerëzore dhe rritjen e efektivitetit të tyre në punën audituese.

KLSH-së i rekomandohet edhe të ridimensionojë rolin dhe përgjegjësitë e tij në raport me auditimin e brendshëm të institucioneve, funksionimin, integritetin dhe efektivitetin e tyre.

Njëkohësisht KLSH-së i rekomandohet të zhvillojë rregulla të brendshme për të bërë më shumë transparent procesin e caktimit të audituesve për një audit dhe të bëjë publik planin e një auditimi dhe kohëzgjatjen maksimale të tij, që në nisje të një auditimi./ata