Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola deklaroi sot se, rishikimi i ligjit për kërkim-shpëtimin është një hap i domosdoshëm për të përmirësuar sigurinë dhe për të garantuar një reagim të shpejtë dhe efektiv në rastet e aksidenteve ajrore dhe detare.
Në fjalën e tij në prezantimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10435, datë 23.6.2011, “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë” në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Tola tha se, këto ndryshime propozohen së pari me qëllim përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare për kërkim shpëtimin në të cilat aderon Republika e Shqipërisë.
“Projektligji për shërbimin e kërkimi-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë në rast aksidentesh ajrore dhe detare kanë si qëllim funksionimin e një shërbimi efikas dhe bashkëkohor të kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë duke rregulluar fushën e përgjegjësisë këtij shërbimi si dhe duke iu përgjigjur nevojave aktuale për ristrukturimin e tij në përputhje me përcaktimet dhe rekomandimet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) dhe të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO)”, tha Tola.
Ai shtoi se, “pr/ligji parashikon ndryshimin e titullit të ligjit aktual në funksion të qartësisë dhe përcaktimit konkret të fushës së përgjegjësisë së shërbimit të kërkim-shpëtimit, duke qartësuar se shërbimi SAR, ofrohet vetëm në rastet e ndodhjes së aksidenteve ajrore dhe detare”.
Tola theksoi se, ky qartësim është i nevojshëm për të zgjidhur problematikën e krijuar me mbivendosjen e kompetencave, kryesisht me Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Tola gjithashtu dha një informacion të përgjithshëm mbi dy konventat kryesore të cilat përcaktojnë rregullat bazë për kërkim-shpëtimin në rastet e aksidenteve detare dhe ajrore të cilat janë ratifikuar nga vendi ynë.
“Konventa Ndërkombëtare e Aviacionit Civil e njohur ndryshe dhe si Konventa e Çikagos, e vitit 1944, në bazë të së cilës shtetet anëtare duhet të krijojnë dhe organizojnë shërbimin e kërkim-shpëtimit brenda territorit të tyre, me sistem turni 24-orësh gjatë gjithë vitit, si dhe të ngrenë një Qendër Koordinim-Shpëtimi në rajonin e kërkim-shpëtimit”, tha Tola.
Së dyti, theksoi Tola, është Konventa Ndërkombëtare mbi kërkim-shpëtimin detar, ose siç njihet Konventa e Hamburgut e vitit 1979.
“Në bazë të kësaj konvente vendet anëtare duhet të organizojnë shërbimin e tyre të kërkim-shpëtimit, në mënyrë të tillë që t’i përgjigjen menjëherë thirrjes së fatkeqësisë dhe të themelojnë një mekanizëm kombëtar për koordinimin e përgjithshëm të shërbimeve të kërkim-shpëtimit në det”, tha Tola.
Më tej Tola u shpreh se, është i domosdoshëm rishikimi i ligjit për kërkim-shpëtimin, nisur dhe nga koha e gjatë që ka kaluar nga miratimi i këtij ligji, si dhe nga nevojat që janë paraqitur për ristrukturimin e tij, në kuadër dhe të kërkesave të ICAO-s dhe IMO-s.
“Konventat kërkojnë nga shtetet anëtare ngritjen e dy organeve të tjera, siç janë Komiteti Kombëtar i Kërkim-Shpëtimit dhe funksionet mbikëqyrëse të shërbimit të kërkim-shpëtimit”, tha ai.
Pas diskutimeve pr/ligji u miratua vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës, pasi deputetët e opozitës i bojkotuan punimet e Komisionit./ata