Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar lidhur me dhunimin e një mësueseje në shkollën 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj.

 

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Kushi thotë se është e indinjuar për rastin, teksa thekson se pavarësisht arsyeve që kanë shkaktuar këtë ngjarje, dhuna nuk është asnjëherë mënyra e duhur për zgjidhjen e konflikteve.

 

Sipas saj, në institucionet tona arsimore funksionojnë të gjitha strukturat e nevojshme për menaxhimin dhe zgjidhjen e situatave problematike.

 

Më tej Kushi shkruan; ne nuk do të tolerojmë asnjë rast dhune, as ndaj nxënësve e as ndaj mësuesve, atyre që edukojnë me dashuri fëmijët tanë dhe përgatisin me përgjegjshmëri brezat e ardhshëm”.

 

Ditën e djeshme një mësuese në Memaliaj u dhunua nga tezja, pasi kishte dhnuar mbesën e saj në shkollë.

 

Reagimi i Kushit

 

Jam shumë e indinjuar nga rasti i dhunës së ushtruar mbi një mësuese në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj.

 

Pavarësisht arsyeve që kanë shkaktuar këtë ngjarje, dhuna nuk është asnjëherë mënyra e duhur për zgjidhjen e konflikteve. Në institucionet tona arsimore funksionojnë të gjitha strukturat e nevojshme për menaxhimin dhe zgjidhjen e situatave problematike.

 

Edhe pse është një rast i izoluar, për të cilin u morën masa të menjëhershme që ditën e djeshme, unë shpreh solidaritetin dhe u bëj thirrje nxënësve, prindërve dhe gjithë shoqërisë që ta trajtojmë mësuesin me respektin dhe dinjitetin që meriton.

 

Ne nuk do të tolerojmë asnjë rast dhune, as ndaj nxënësve e as ndaj mësuesve, atyre që edukojnë me dashuri fëmijët tanë dhe përgatisin me përgjegjshmëri brezat e ardhshëm.

 

Dua të garantoj të gjithë prindërit që ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe do të marrim të gjitha masat që shkolla të jetë gjithmonë një mjedis i sigurt, i ngrohtë dhe i shëndetshëm për edukimin dhe mirëqenien e nxënësve tanë.