Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, u shpreh se mund të parashikohet se deri ku mund të shtrihet ekspansionizmi, nëse nuk ndalohet Izraeli.

Presidenti Erdoğan foli në Konferencën e Ardhmërisë së Palestinës të organizuar në Ankara nga Kryesia e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Kryesia e Drejtave të Njeriut pranë AK Partisë.

"Ne mund ta parashikojmë se deri ku mund të shtrihet ky ekspansionizëm nëse nuk ndalohet Izraeli i cili sa vjen e llastohet, e bëhet më shumë agresiv", theksoi Erdoğan, duke shtuar:

"Edhe pse ka disa njerëz që nuk kuptojnë dhe nuk mund të shohin rrezikun që i afrohet vendit tonë, ne e shohim rrezikun dhe marrim masat".

Presidenti Erdoğan gjithashtu u shpreh se "të gjithë së bashku kemi parë me skuqje të fytyrës (me turp) se si KS-OKB dhe organizatat ndërkombëtare kanë mbetur të pafuqishëm përballë llastimeve të Izraelit".

Ai theksoi se populli palestinez e përjeton këtë persekutim prej dhjetëra vitesh, ndërsa sipas tij, politika pushtuese, shkatërruese dhe ekzekutuese e Izraelit vazhdon pandërprerë prej 76 vitesh.

Presidenti turk gjithashtu u shpreh se të gjithë janë dëshmitarë se si organizatat e të drejtave të njeriut dhe organizatat globale të medias luajnë rolin e shurdhmemecit dhe injorojnë temat kur bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve të vrarë në Gaza.

"Deri kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të shikojë derisa rajoni ynë shndërrohet në një det gjaku dhe civilë që digjen të gjallë në Gaza? Si do të mbrojë të drejtat e të tjerëve OKB-ja që nuk mbron të drejtat e personelit të vet?", pyeti presidenti Erdoğan.

Ai u shpreh se Komuniteti ndërkombëtar dhe bota Islame duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të ofruar më shumë ndihma humanitare në Gaza para dimrit.

"Sasia e ndihmave humanitare që dërguam për vëllezërit tanë në Gaza kaloi 84 mijë tonë. Türkiye është vendi që dërgon më shumë ndihma në Gaza", tha Erdoğan, duke shtuar:

"Ne jemi i vetmi shtet që treguam reagimin më të fortë ndaj masakrës në Gaza dhe që duke mos u mjaftuar me kaq, morëm masa konkrete kundër Izraelit. Pavarësisht të gjitha pamundësive, ne qëndrojmë të vendosur dhe do të qëndrojmë pranë popullit palestinez që mbron heroikisht atdheun e tij".

"Shpresoj që fitorja do të jetë me ata që besojnë në Gaza dhe Liban. Do të vazhdojmë luftën tonë pa u lodhur, pa hequr dorë derisa të krijohet shteti i pavarur palestinez sovran në bazë të kufijve të vitit 1967, me kryeqytet Kudsin Lindor", tha Erdoğan, duke shtuar se megjithëse do të përjetohen vuajtje të mëdha, "me lejen e Zotit, ky proces do të rezultojë në krijimin e një shteti të lirë palestinez në bazë të kufijve të vitit 1967"./aa