Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan deklaroi se “Duhet të sigurohemi që qeveria izraelite dhe mbështetësit e saj të paguajnë çmimin”.

Ministri Fidan mori pjesë në seancën e parë të "Konferencës e Ardhmja e Palestinës" të organizuar nga AK Partia në selinë e AK Partisë, me titull "Diplomacia globale dhe e ardhmja e Palestinës", të kryesuar nga kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes, Fuat Oktay.

Në fjalën e tij, Oktay tha se Izraeli ka zbatuar politika të konfiskimit, ndarjes, izolimit, privimit dhe shkatërrimit kundër popullit palestinez.

Pasi tërhoqi vëmendjen për të kaluarën e qëndrimit shtypës të Izraelit ndaj Palestinës, Oktay tha: "Ne po flasim për të ardhmen e Palestinës, por duhet të kujtojmë edhe disa momente historike në të kaluarën. Nëse do të flasim për të ardhmen duhet të dimë të shkuarën".

Në fjalën e tij, Fidan tha: "Kur shikoni skenën botërore, pothuajse çdo vend përveç 5 vendeve kanë rënë dakord për tre gjëra; armëpushim në Gaza, qasje në ndihmën urgjente humanitare për popullin e Gazës dhe zgjidhje me dy shtete".

Duke kujtuar samitin e parë rajonal të mbajtur në Kajro tre javë pas 7 tetorit kur filluan sulmet e Izraelit në Gaza, Fidan tha se vendet evropiane nuk ranë dakord të përfshinin fjalën "armëpushim" në deklaratën përfundimtare të samitit.

"Ndërsa tani të gjithë janë pajtuar se e vetmja mënyrë për të gjetur zgjidhje të përhershme të kësaj krize për të ardhmen e izraelitëve dhe palestinezëve është zgjidhja me dy shtete", theksoi Fidan i cili shtoi se për ta arritur këtë nevojitet shumë punë, përkushtim, koordinim, bashkëpunim dhe besimi mes miqsh.

Ai potencoi se ajo që kanë bërë së bashku me Grupin e Kontaktit në vitin e fundit ka ndihmuar realisht në mobilizimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Duke iu përgjigjur pyetjes "Çfarë duhet bërë për të arritur një zgjidhje me dy shtete?", Fidan tha se ky është një problem i madh për të gjithë botën dhe askush nuk është shumë i interesuar për këtë problem.

 

- Mesazhi se mbështetja e SHBA-së për Izraelin vështirëson përpjekjet për të ndaluar Izraelin

Duke thënë se kjo është një çështje për të cilën ata po punojnë, Fidan tha se "Fakti që SHBA-ja mbështet verbërisht dhe 100 për qind axhendën izraelite në rajon e vështirëson të gjithë punën tonë shumë edhe më shumë".

Ai shpjegoi se ka dy pikëpamje për politikat izraelite në SHBA dhe se asnjëra prej tyre nuk është efektive në ndalimin e gjenocidit në Gaza. Fidan potencoi se disa vende të mëdha evropiane mbështesin pa diskutim politikën e SHBA-së për Izraelin.

Duke theksuar se asnjë ndihmë nuk lejohet të shkojë në Gaza nga kufiri i Rafahut, Fidan tha: "Ndalohet çdo gjë që ne dërgojmë nga këtu ose nga anët e tjera të botës në ndihmë të popullit palestinez".

"Ne duhet të sigurojmë që SHBA-ja dhe disa vende të tjera evropiane të kuptojnë rrezikun real dhe rrezikun e krizës aktuale", tha ministri Fidan i cili shpjegoi se ata kanë parë që ndarja në Ukrainë çoi në një ndarje të ngjashme edhe në Palestinë dhe se kjo e rriti më tej ndarjen globale midis veriut dhe jugut.

 

- Thirrje për të "kaluar në fazën e dytë" për të ndaluar Izraelin

Fidan theksoi nevojën për të vazhduar punën pa pushim dhe pa u lodhur për të siguruar që ndihma humanitare të mund të dërgohet në Gaza. "Pavarësisht se çfarë themi, ne nuk mund ta përshkruajmë as imazhin e tragjedisë që po ndodh në Gaza tani", shtoi ai.

Pasi deklaroi se këtu kanë arritur kufijtë e diplomacisë, Fidan tha se "Për të shkuar përtej kësaj, duhet të fillojmë të përdorim mjete të tjera, duke filluar nga sanksionet, veprimet ligjore ndërkombëtare dhe bojkotimi për çdo çështje në çdo fushë në forumet ndërkombëtare ndaj Izraelit dhe mbështetësve të tij. Duhet të kalojmë në fazën e dytë, përndryshe Izraeli do të vazhdojë masakrën dhe gjenocidin në Gaza".

"Arsyeja e kësaj është se Izraeli nuk po paguan asnjë çmim. Gjenocidi do të vazhdojë për sa kohë që qeveria e (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu nuk detyrohet të paguajë një 'çmim domethënës'. Duhet të sigurohemi që qeveria izraelite dhe mbështetësit e saj të paguajnë çmim. Kështu mund të kuptojnë se ka një kufi për atë që mund të bëjnë", deklaroi Fidan.

Ai tërhoqi vëmendjen për "përshkallëzimin e luftës në Liban" nga Izraeli dhe tha se kjo nuk duhet t'i bëjë njerëzit të harrojnë Rripin e Gazës dhe Palestinën.

Kryediplomati turk tha se ka edhe nga ata që e kundërshtojnë Izraelin që duan që çështja palestineze të zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë në bazë të rezolutës së OKB-së të vitit 1967. Fidan potencoi rëndësinë e të pasurit një dialog të shëndetshëm me ta.

"Nëse pushtimi izraelit zgjerohet dhe merr një formë tjetër, ne do të shohim më shumë kaos dhe më shumë vdekje", shtoi ai./aa