Anija “Libra” me 16 emigrantë në bord mbërriti sot në orën 08.00 të mëngjesit në portin e Shëngjinit, duke shënuar kështu nisjen e zbatimit të protokollit mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, nënshkruar në Romë nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

Ardhja e migrantëve të parë mori vëmendjen jo vetëm të medias vendase, por edhe të shumë medieve të huaja që ndodheshin në portin e Shëngjinit që në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Ekipi i ATSH ndoqi nga afër ngjarjen duke u pozicionuar herët në mëngjes në traun hyrës të këtij porti.

Mediet e huaja, kryesisht ato italiane, por edhe spanjolle dhe gjermane, bashkë me ekipet e reporterëve dhe kameramanëve fiksuan me detaje të gjithë itinerarin e 16 emigrantëve që mbërritën sot në vendin tonë. Emigrantët, 10 nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti ishin të shoqëruar nën masa të rrepta sigurie gjatë zbritjes nga “Libra”, njëherësh edhe me efektivë dhe forca policore shqiptare, për t’u akomoduar më pas në qendrën e parë të pritjes që ishte instaluar brenda portit të Shëngjinit.

Sipas të dhënave, edhe nga mediet, emigrantët aty i janë nënshtruar një kontrolli të rreptë, nga ai shëndetësor, te marrja e shenjave të gishtave, më pas akomodimi sipas kushteve higjienike, nga larja në dush, rrobat e tjera, ushqimi dhe qetësimi edhe për disa orë të tjera deri në mbërritjen e vendimit për transferimin në kampin e Gjadrit. Aty, emigrantët kanë bërë edhe kërkesat respektive për azil në shtetin italian dhe deri në daljen e përgjigjeve ata akomodohen te kampi i Gjadrit.

Gjatë orëve të qëndrimit tonë atje, lëvizjet e vetme brenda në kamp ishin, ose furgonë të Guardia di Finanza, ose forca policore shqiptare, ndërsa për kalimin e shtetasve shqiptarë ishte lënë një kordon i posaçëm, pra ku ata i nënshtroheshin procedurave për të dalë nga porti i Shëngjinit. Rreth orës 12, anija “Libra” që solli emigrantët e parë në Lezhë la portin e Shëngjinit.

Fotot dhe filmimet e rastit ishin të vetmet që u mundën të merreshin nga gazetarët pasi nuk pati asnjë prononcim nga autoritetet që drejtojnë kampin apo nga porti i Shëngjinit.

Pas Shëngjinit, ekipi i ATSH iu drejtua për tek kampi i Gjadrit. Distanca nga porti i Shëngjinit për në këtë kamp ishte afërsisht 45 minuta, ndërsa banorët që takuam rrugës ishin të gjithë të gatshëm për të na orientuar duke e ditur edhe motivimin e vizitës sonë atje.

Kampi i Gjadrit, ishte një strukturë me mure të larta hekuri, ndërkohë që personi i vetëm jashtë perimetrit ishte një polic i Lezhës, që ishte caktuar për të qëndruar atje me shërbim.

“Mbrëmë, është bërë nami këtu me gazetarë. Sidomos ato të mediave italiane dhe spanjolle. Kishte pafund kameramanë dhe gazetarë”, thotë Miran Doda në një bisedë me ne.

I pyetur për mundësinë e depërtimit brenda në kamp, ai na zotohet që është një mision i pamundur, sepse gjithçka e kanë në dorë italianët.

“Ne shqiptarët ruajmë vetëm perimetrin jashtë, ndërsa brenda gjithçka, nga policia, te mjekët, rojet dhe çdo personel tjetër është italian”, shton ai.

Ndërkohë, nga kodra ngjitur me kampin ku ne mundëm që të ngjiteshim për të parë nga sipër ndonjë detaj më shumë, dukeshin të pozicionuara kampe të gatshme, nga ato lëvizësit që kanë të montuara tualetet, shtretërit etj.

Akoma nuk dihet se kur do të akomodohen brenda kampit këta 16 emigrantë, ndërkohë që sipas mediave, transportimi i tyre do të bëhet me një furgon, ndërsa do të jenë të shoqëruar me forca të shtuara policore.

Ndërkohë, drejtori i Portit të Shëngjinit në një intervistë për mediet u shpreh se gjithçka është nën kontroll dhe brenda standardeve të sigurisë.

“Në Portin e Shëngjinit prej kohësh është i angazhuar në mënyrë të fuqishme në këtë drejtim, për shkak se është një operacion që kërkon vigjilencë dhe resurse të mjaftueshme. Puna intensive ka përfshirë jo vetëm rritjen e masave të sigurisë, por edhe një koordinim të detajuar me palën italiane për të siguruar që anijet mund të ankorohen pa probleme apo shqetësime”, tha drejtori i Portit, Sandër Marashi.

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët

Kjo marrëveshje e arritur në nëntor të vitit të kaluar parashikon që për një periudhë pesëvjeçare, Shqipëria do të pranojë deri në 36.000 migrantë në vit, dhe aplikacionet e azilit të këtyre migrantëve do të procesohen në dy qendra në Shqipëri. Sipas marrëveshjes së arritur mes dy vendeve, procedurat për migrantët do të kryhen në dy qendra.

Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të migrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra më larg, objekt i dikurshëm i aeroportit ushtarak, do të shpërbëjë për strehim të migrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.

Italia ka pranuar t’i strehojë migrantët që fitojnë azilin. Ata që nuk fitojnë azilin, do të dëbohen direkt nga Shqipëria./ata