Makineria moderne “Tamping”, që ka mbërritur në vendin tonë, do t’i japë një hov më shumë punimeve për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas.

Zv/kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se, tashmë punimet për këtë linjë kanë hyrë në një fazë të re.

Balluku ndau në rrjete sociale pamje nga kantieri i ndërtimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, ku shihen punimet që po kryen me makinerinë e re.

Makineria që njihet me emrin Tamping, ose e thënë ndryshe makineria “rrahëse”, është një makineri vetëlëvizëse e montuar në hekurudhë.

Ajo përdoret për të paketuar/shtypur çakëllin/balastin e binarëve nën shinat, duke i bërë ato më të qëndrueshme dhe duke i niveluar.

Makineritë rrahëse janë thelbësore për përdorimin e traversave të betonit, pasi ato janë shumë të rënda (zakonisht mbi 250 kg).

Gjithashtu, Tamping korrigjon shtrirjen e shinave për t’i bërë ato paralele dhe në nivel, në mënyrë që të arrihet një udhëtim më i rehatshëm për pasagjerët dhe mallrat.

Linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas do të jetë një linjë tërësisht elektrike, me një impakt të rëndësishëm në fushën e transportit në vend./ata