Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) theksoi sot krizën e thelluar humanitare në Liban, ku mbi 1,2 milion njerëz janë zhvendosur si rezultat i sulmeve izraelite, përfshirë 400.000 fëmijë.

“Kemi dëgjuar gra dhe nëna në lot dhe baballarë që flasin për netët e mbushura me frikë”, tha zëvendësdrejtori ekzekutiv i Fondit të Fëmijëve të OKB-së (UNICEF) Ted Chaiban në një konferencë të përbashkët për shtyp me Carl Skau, zëvendësdrejtorin ekzekutiv të Programit Botëror të Ushqimit (WFP), pas vizitës së tyre të fundit në Liban.

Duke thënë se afërsisht 1,2 milion njerëz janë zhvendosur, duke përfshirë rreth 400.000 fëmijë, Chaiban tha: “Pasojat psikologjike janë të jashtëzakonshme, veçanërisht për të rinjtë. Fëmijët tani kaplohen nga makthi i bombardimeve, humbja e të dashurve”.

Chaiban tha se sulmet izraelite ndaj infrastrukturës civile, përfshirë shtëpitë, qendrat shëndetësore dhe shkollat, kanë çuar në “viktima masive civile”, ndërsa theksoi nevojën urgjente që të gjitha palët në konflikt t’i përmbahen ligjit ndërkombëtar humanitar.

Duke vënë në dukje se UNICEF-i po punon me partnerët për të përmbushur nevojat e menjëhershme, duke ofruar ujë, pajisje sanitare dhe furnizime mjekësore, Chaiban theksoi se shkalla e krizës kërkon më shumë burime.

“Apeli i UNICEF-it është i financuar me tetë për qind tani”, zbuloi ai, duke bërë thirrje për fonde të shpejta dhe të pakushtëzuara për të mbajtur të hapura rrugët e furnizimit dhe për të siguruar ndihmën e tyre për nevojtarët.

Duke nënvizuar pasjat “shkatërruese” për fëmijët, Chaiban vuri në dukje më tej rëndësinë e armëpushimit si “hapi i parë drejt rindërtimit të jetës dhe rivendosjes së shpresës”.

Skau gjithashtu u bëri jehonë komenteve të Chaibanit për situatën e rëndë humanitare në Liban dhe deklaroi se ata kanë parë “një ndjenjë të vërtetë dëshpërimi” gjatë vizitave të tyre tek të prekurit nga konflikti.

Ai gjithashtu theksoi nevojën urgjente të fondeve fleksibël për t’u përshtatur me situatën në zhvillim në Liban./aa