Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sërish sot në seancë plenare, ndërsa deputetët e përjashtuar të opozitës nga Komisioni i Etikës, kanë paralajmëruar futjen në sallë si dhe mosbindje civile.

Për të shmangur përplasjen mes deputetëve, Garda e Republikës ka rrethuar me gardh metalik hyrjen e Kuvendit. Kjo ka sjellë edhe reagimin e kryetarit të grupit të parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili thotë se Kuvendi nuk është qeli burgu.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka publikuar një video, ku shihet dera e Kuvendit e rrethuar me hekura si dhe me forca të shumta sigurie.

“Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”!

Kuvendi nuk është burg dhe as qeli burgu, edhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë. Shndërrimi i Kuvendit në “qelinë e rrethuar me hekura” të Pëllumb Gjokës e të ngjashmëve të tij është një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar!” – shkruan Bardhi.

Ndërkaq grupi parlamentar i PD është mbledhur sot rreth orës 8:30 dhe më pas do t’i drejtohet Kuvendit.

Kujtojmë se Komisioni i Etikës ka përjashtuar 23 deputetë të opozitës pas djegies së karrigeve dhe kaosit në seancën e 30 shtatorit./ata