Në seancën e sotme plenare, opozita ka vijuar sërish mosbindjen civile, duke krijuar kaos jashtë ambienteve të Kuvendit, por edhe brenda sallës.

Për të shmangur përplasjet ndërmjet ligjvënësve të opozitës, me ato të mazhorancës, Garda e Republikës rrethoi me gardh metalik Kuvendin, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike, kërkuan që të futen me forcë, duke shkuar deri në konfrontime fizike.

Një pjesë prej tyre, të përjashtuar nga Komisioni i Etikës, u përplasën me forcat e sigurisë së Gardës dhe nuk u lejuan që të futen brenda ambienteve të Kuvendit.

Sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, i cili u përplas edhe me forcat e sigurisë, duke folur jashtë Parlamentit, u shpreh se ky institucion është kthyer në një burg të sigurisë së lartë pikërisht në ditën kur hapen negociatat me BE-në.

“Ky është një burg i sigurisë së lartë. Ditën që hapen negociatat, ky parlament kthehet në një burg të sigurisë së lartë”,- u shpreh Noka.

“Miss 5 milionë dollarë e ka kthyer parlamentin në një burg të sigurisë së lartë ku nuk lejohen takimet. Ja, ky është parlamenti i vendit që hapi negociatat,”- tha sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka për mediat tek parlamenti.

Nga ana tjetër, jashtë dyerve të Kuvendit, deputetja Albana Vokshi, njëherësh kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas në PD, tha se gratë deputete më urdhër të një gruaje, Elisa Spiropalit, u ndaluan fizikisht nga Garda. Deputetja demokrate nënvizoi se nuk do të heqin dorë nga mosbindja civile.

“Neni 122 e ka fare të qartë Garda merr urdhër vetëm nga Kryetari i Kuvendit, pavarësisht se Elisa Spiropali thoshte nuk janë urdhrat e mia, dikush tjetër jep urdhra. Atëherë të na thojë Elisa Spiropali kush e mban peng këtë parlament. Parlamenti është dhunuar nga ata që janë bërë palë më krimin e organizuar dhe bandat. Është kthyer në një burg të sigurisë së lartë. U dhunuam fizikisht. Nuk u lejuam që të futemi brenda. Kush e ka dhënë urdhrin?”,-u shpreh Vokshi

Garda ka dhënë urdhër të mos lejohen deputetët e opozitës pa nisur seanca. Kjo është e paprecedentë, mundohen që të mungojnë deputetët e popullit.  Nuk do të heqim dorë, mosbindja civile ka nisur”- tha më tej Vokshi.

Përshkallëzimi i qëndrimeve të opozitës për bojkot në seancat plenare dhe mosbindje civile, ndodhi pas dënimit nga Gjykata e Apelit, me 1 vit burg të ish-deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji, për dosjen “Babale”./ata