Në seancën e sotme plenare në Kuvend ka pasur debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.

Ishte deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, që deklaroi se kjo që po ndodh në Kuvend është “grusht shteti”.

Ai u shpreh se deputetët po bllokohen e nuk po lejohen të jenë pjesë e punimeve të seancës, ndërsa shton se që nga viti 1991, kjo nuk ka ndodhur.

“Kjo që po ndodh në parlamentin shqiptar sot është një grusht shteti i vërtetë. Këtu po bllokohen deputetë të hyjnë në sallë. Mbrapa asaj derës që keni ju atje janë deputetët gjoja të padënuar nga ju, pra të padënuarit dhe Garda nuk i lejon të kalojnë. E kuptoni ç’do të thotë kjo, të vendoset rendi ushtarak në parlament? Z. ministër i Brendshëm janë efektivët e tu që janë atje jashtë. Dilni atje shikoni se ç’bëhet. Nuk ka forcë të bllokojë deputetët të hyjnë në Kuvend. Nuk ka ndodhur kjo gjë kurrë, kam që në vitin 1991 deputet. Ku është Pandeli Majko të flasë dhe ai. Asnjëherë s’ka ndodhur një gjë e tillë. Dhe në momente më të vështira nuk ka ndodhur. Ky është një krim kundër demokracisë. Është goditja më e fortë e parlamentarizmit dhe që sot nuk ka më parlament Shqipëria në këtë mënyrë”, tha Shehu.

Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, u shpreh se Shehu ka qenë kryetar i PD në kohën kur kryetari i PS ka qenë në burg.

“Personi që sapo komentoi është përveçse kolegu im i vjetër, ka qenë dhe kryetar i PD në një periudhë shumë “interesante” për demokracinë, kur kryetari i PS në atë periudhë ka qenë në burg i dënuar disa vjet dhe e bënte burgun në Tepelenë. Avokati aktual i z. Berisha ka qenë prokurori i tij. Besoj që do ta mbajë mend precedentin”, tha Majko.

“Unë nuk mendoj që këtu është vendi për të kujtuar shumë nga e kaluara. Unë ju respektoj juve dhe kolegët e PD-së. Tani, unë për ju si ish-kryetar i PD-së, meqenëse përmendët dhe të kaluarën, kam vetëm një pyetje: Zotëri, meqenëse përmendët përgjegjësinë politike dua t’ju bëj vetëm një pyetje për të cilën do të doja përgjigje nga ju. Pse keni hedhur molotov në godinën e PS-së gjatë protestës tuaj? Kjo nuk ka ndodhur as në shtator të 1998-ës kur politika ka shkëmbyer plumba me njëri-tjetrin. Dua përgjigje nga ju. Pse keni hedhur molotov? Si e konsideroni këtë akt? Çfarë domethënie ka kjo?”, iu drejtua Majko-Shehut.

Për debatin reagoi edhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila u shpreh se, “historia është e pakontestueshme! Pandi Majko, i qartë dhe i saktë si gjithmonë, por nuk dëgjuam asnjë përgjigje nga Tritan Shehu dhe jo se u çuditëm, ç’të thotë dhe ai?!”./ata