Kuvendi miratoi sot, mes kaosit dhe tensioneve të shkaktuara nga deputetët e opozitës, pr/ligjet në rendin e ditës.

Deputetët e opozitës nuk lejuan zhvillimin normal të seancës, teksa grumbulluan karriget përpara foltores së Kuvendit.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përjashtoi nga seanca plenare deputetët e Partisë Demokratike, Elda Hoti dhe Petrit Doda, si dhe deputetin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Gëzim Ademaj.

Deputetja e PD, Elda Hoti ka hedhur lëndë mbi deputetët e mazhorancës. Ata gjithashtu krijuan kaos në seancë, duke vendosur karriget e deputetëve tek foltorja e Kuvendit.

Deputeti i PDIU, Gëzim Ademaj, mblodhi karriget para foltores, Elda Hoti nxori dy shishe me lëng duke spërkatur tapetin e parlamentit, kurse Petrit Doda bllokoi foltoren dhe sulmoi kolegët, duke penguar seancën.

Për këtë rast reagoi edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili u shpreh se, “këtu bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, të gjitha provat do të fiksohen dhe do të bëjmë një kallëzim penal drejtuar Prokurorisë”.

Por deputetët e opozitës, nuk lejuan zhvillimin e interpelancës me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputeti Agron Shehaj në lidhje me monitorimin e ngarkesave me lëndë helmuese që transportohen nga Shqipëria.

Gjithashtu ata ndaluan edhe raportimin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu për veprimtarinë e institucionit për vitin 2023.

Debate pati edhe mes deputeti të Partisë Socialiste, Pandeli Majko dhe deputeti të Partisë Demokratike, Tritan Shehu, teksa Majko pyeti këtë të fundit se pse u hodh molotov në selinë e PS-së.

Teksa deputetët e përjashtuar të PD-së patën përplasje me punonjësit e Gardës, pasi tentuan të hynin në sallë.

Ata ndaluan edhe debatet për pr/ligjet në rendin e ditës, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali pezulloi seancën për 10 minuta, pasi deputetët u ankuan se në seancë vinte një erë e rëndë, si benzinë.

Më pas seanca rifilloi punimet normalisht me diskutimet për rendin e ditës

Pas diskutimeve, Kuvendi, miratoi me 73 vota pro pr/rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2023.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 73 vota pro edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 465, datë 29.9.2011, Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Kuvendi miratoi me 72 vota pro edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit” i ndryshuar.

Më pas Kuvendi votoi me 69 vota pro, 3 abstenime dhe 1 votë kundër projektvendimin për zgjedhjen e Violanda Theodhorit si anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali u shpreh se, shumica e kërkuar sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, i ndryshuar, raundi i tretë nuk u arrit. Sipas ligjit, u shpreh Spiropalit nëse shumica prej 2/3 nuk arrihet as pas raundit të tretë, atëherë kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Kështu, Violanda Theodhori konsiderohet e zgjedhur si anëtare e KLGJ-së nga radhët e shoqërisë civile.

Kuvendi votoi me 68 vota pro, 4 abstenime dhe 1 votë kundër, projektvendimin për zgjedhjen e Erjon Fejzulla si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Spiropali u shpreh se, shumica e kërkuar sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, i ndryshuar, raundi i tretë nuk u arrit. Sipas ligjit, u shpreh Spiropalit nëse shumica prej 2/3 nuk arrihet as pas raundit të tretë, atëherë kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Kështu, Erjon Fejzulla konsiderohet i zgjedhur si anëtar i KLP-së nga radhët e shoqërisë civile.

Kuvendi gjithashtu rrëzoi me 58 vota kundër, 3 abstenime dhe 12 pro projektvendimin “Për emërimin e z. Pajtim Melani si anëtar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e kryetarit të Bordit”./ata