Partia Demokratike zhvilloi sot një tubim, në atë që prej kohësh thirret nga demokratët si “Rrugica e shpresës”, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për mospranimin e ankimimit të Enkelejd Alibeajt që i jep vulën e partisë Berishës.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, përshëndeti demokratët e mbledhur poshtë dritares së tij, ku prej gati 6 muajsh qëndron në arrest shtëpie.

“Sot është një nga ditët më të veçanta në historinë, në përpjekjen e shqiptarëve për demokraci. Në 33 vite, ne së bashku kemi kaluar plot ditë gëzimi. Kemi shënuar fitore historike për kombin.Kemi realizuar projekte jetëndryshuese për shqiptarët. Kemi fituar zgjedhjet, madje kemi pasur edhe fatin dhe bekimin e rrallë, që shumë pak vetave u jepet në kohëra, që të ndajmë epokat dhe të ndryshojmë historinë”, iu drejtua ai democratëve.

Nga kjo kronologji ngjarjesh, gëzimesh,vijoi Berisha, fitorja për të cilën duhet të ndihemi më shumë krenarë, është fitorja e sotmja kundër diktaturës të bazuar në aleancën me krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve.

“Duhet të ndjehemi sot krenarë që sepse qëndruam fort për këtë flamur. Fakti që ky flamur sot dhe përjetë na përket ne është një mrekulli e lirisë për të gjithë shqiptarët!”, tha ai.
Berisha deklaroi se flamurin e PD-së kërkuan ta zhdukin.

“Ky është flamuri juaj. Ky është flamuri i fitores që do ta shembë narkoshtetin.
Prandaj ju ftoj të përbashkohemi rreth tij dhe në një aleancë historike shqiptare, bashkë të shpëtojmë Shqipërinë”, ftoi Berisha demokratët.

Ndërsa nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi tha se PD e ka derën të hapur për çdo demokrat.

“Ftesa jonë ka qenë që ditën e parë, vazhdon dhe do jetë për çdo demokrat që ka pranuar simbolin e PD, flamurin e saj si atë që udhëheq në këtë rrugëtim lirie nga dhjetori i vitit 1990 gjer sot. PD e ka derën të hapur për çdo demokrat. Të bashkohemi të gjithë pa dallim në këtë përpjekje të jashtëzakonshme tonën, në drejtimin e kryetarit të PD, Sali Berishës për të rrëzuar këtë narkoshtet, këtë regjim të Edi Ramës. Sot është një ditë e madhe për të gjithë ne”, deklaroi ai./ata