Banka Botërore vlerësoi pozitivisht trendin në rritje të ekonomisë shqiptare, teksa shprehu angazhimin për të mbështetur Shqipërinë në disa drejtime kryesore ekonomiko-sociale.

Banka Botërore bën të ditur se, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të mbetet e qëndrueshme në 3.3 % në vitin 2024 dhe për vitin 2025 kjo rritje parashikohet të përshpejtohet në 3.4%.

Sipas Raportit të rregullt ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, që u prezantua sot në Tiranë, sektorët e turizmit dhe ndërtimi nxitën eksportet, konsumin dhe rritjen e investimeve.

BB vëren se, norma e inflacionit është në nivelin më të ulët ndër vendet e rajonit dhe parashikohet të mbetet nën nivelin e objektivit 3 % në periudhë afatmesme. Deficiti i llogarisë korente pritet të qëndrojnë në 3.8 % të PBB-së në periudhë afatmesme.

Gjithashtu institucionit financiar ndërkombëtar me bazë në Uashington, verën se treguesit kryesorë makroekonomik vijojnë të performojnë pozitivisht. Kështu, ka një sektor turizmi të qëndrueshëm, rritje të aktivitetit ndërtimor, zgjerim të kreditimit, ndjesi pozitive e biznesit dhe konsumatorit, si dhe të ardhura të forta tatimore.

Niveli i varfërisë ka shënuar rënie, ndërsa pritet të vijojë prirja ulëse shkak të rritjes së të ardhurave nga puna. Punësimi është rritur, veçanërisht në sektorin privat, ku gjatë vitit të fundit pagat janë rritur mesatarisht me 12.7% në të gjithë sektorët. Inflacioni po ulet gradualisht, ndërsa të ardhurat në buxhet shënuan një rritje prej 8% deri në muajin korrik.

Në vijim, parashikimi ekonomik i Shqipërisë do të jetë në varësi të rimëkëmbjes së ekonomisë globale dhe ritmit të zbatimit të reformave strukturore. Aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) shërbejnë si një forcë orientuese për përparimin e mëtejshëm të vendit. Një rritje ekonomike më e lartë kërkon veprime të shpejta për realizimin e reformave që synojnë rritjen e produktivitetit, përmirësimin e klimës së biznesit dhe thellimin e integrimit të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas raportit, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të përshpejtohet me ritëm të moderuar gjatë vitit 2025, e nxitur kryesisht nga rritja e konsumit dhe investimeve, të mbështetura nga rritja e fuqisë blerëse.

Banka Botërore parashikon që norma e rritjes për gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të arrijë në 3.7% në vitin 2025, që përbën një rishikim me 0.2 pikë përqindje më të lartë se sa vlera e parashikuar në edicionin e pranverës të këtij raporti. Rritja për vitin 2024 pritet të arrijë në 3.3%, ose 0.1 pikë përqindje më e lartë se sa vlerësimi në raportin e mëparshëm.

“Faktorët e brendshëm vijojnë të mbështesin një përshpejtim më ritëm të moderuar të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, në periudhë afatmesme, rimëkëmbja graduale e aktivitetit ekonomik në Bashkimin Evropian pritet të luajë rol vendimtar në forcimin e eksporteve të rajonit,” u shpreh Isolina Rossi, ekonomiste në Bankën Botërore dhe autore kryesore e raportit. “Pavarësisht perspektivës pozitive, rajoni vijon të mbetet i ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh, si rritja e ngadaltë ekonomike në nivel global, kthimi i inflacionit sërish në nivele të larta, pasiguritë politike dhe ngjarjet ekstreme të motit.”

Me forcimin e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor, standardet e jetesës në rajon po vijojnë të konvergojnë gradualisht me ato të ekonomive më të përparuara të Bashkimit Evropian. Megjithatë, ruajtja e vrullit të rritjes dhe përshpejtimi i ritmit të konvergjencës kërkon reforma strukturore, përfshirë ato të përshkruara në Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.

“Integrimi ekonomik është një shtytës kryesor i rritjes për ekonomitë e vogla si ato në Ballkanin Perëndimor, – tha Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. – Për të mbështetur këtë rritje ekonomike, vendet e rajonit duhet të forcojnë tregtinë rajonale dhe me Bashkimin Evropian, të reduktojnë kohën e pritjes në kufi dhe të integrojnë sistemet e pagesave. Gjithashtu, adresimi i sfidave demografike dhe të tregut të punës kërkon një fokus të fortë në zhvillimin e kapitalit njerëzor. Përmirësimi i sistemeve arsimore dhe shëndetësore është thelbësor për të avancuar nga statusi i ekonomive me të ardhura të mesme në ekonomi me të ardhura të larta.”

Duke qenë se pothuajse një në katër individë nga Ballkani Perëndimor aktualisht jetojnë jashtë vendit, menaxhimi më i mirë në nivel global i fuqisë punëtore nga Ballkani Perëndimor mund të jetë një shtytës kryesor për zhvillimin ekonomik në rajon. Ndonëse emigracioni mund të sjellë sfida, si mungesa e fuqisë punëtore në vend, ai gjithashtu mund të krijojë mundësi të qarta lidhur me përdorimin e emigracionit për përfitime ekonomike.

Sipas raportit, nëse menaxhohet në mënyrë efektive, migracioni mund të ndikojë pozitivisht në zbutjen e varfërisë, nxitjen e eksporteve dhe thithjen e investimeve, duke rezultuar në këtë mënyrë në krijimin e vendeve të punës dhe transferimin e njohurive. Për shembull, remitancat mund të përmirësojnë burimet financiare për familjet e emigrantëve. Përveç kësaj, kthimi i emigrantëve të kualifikuar mund të sjellë një “kthim të trurit’ në vendet e tyre të origjinës, ndërsa joshja nga paga më të larta jashtë vendit mund të motivojë arsimimin dhe rritjen e aftësive për ata që vendosin të qëndrojnë.

Me qëllim maksimizimin e përfitimeve nga migracioni, raporti rekomandon disa masa të politikave për Ballkanin Perëndimor: Zhvillimi i programeve të trajnimit dhe mobilitetit të aftësive në partneritet me vendet pritëse të emigrantëve dhe zgjerimi i marrëveshjeve dypalëshe për sigurimet shoqërore; Përmirësimi i masave për mbrojtjen e emigrantëve gjatë gjithë fazave të migrimit me qëllim zbutjen e rreziqeve me të cilat ata mund të përballen dhe për të nxitur kthimin e tyre në vend; Lehtësimi i procedurave për pjesëtarët e diasporës për transferimin e kapitalit, ekspertizës dhe teknologjive të avancuara dhe përdorimi i mjeteve digjitale; përmirësimi i mbledhjes së të dhënave për qëllime të një menaxhimi sa më efektiv të emigracionit dhe politikëbërjes./ata