Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka hartuar një udhëzues të ri gjithëpërfshirës i cili synon që të ndihmojë prodhuesit që të eksportojnë me sukses vaj ulliri në tregjet ndërkombëtare me vlerë të lartë.
Referuar dokumentit, sektori i ullirit në Shqipëri, ka një traditë të lashtë me rëndësi të madhe socio-ekonomike dhe të lidhur fort me punësimin dhe me zhvillimin rural në përgjithësi. Po ashtu, ai është i rëndësishëm në aspektin e turizmit rural dhe tregtisë̈ ndërkombëtare, konsideruar llojet e kultivarëve autoktonë dhe karakteristikat sensoriale specifike të vajrave të prodhuar prej tyre. Në krahasim me vendet e tjera të Mesdheut, sektori i ullirit në Shqipëri është me pak i zhvilluar, si për nga numri i bimëve për banor rreth 3.5 bimë për banor, krahasuar me 4-10 bimë për banor në Itali, Spanjë dhe Greqi) ashtu edhe lidhur me rendimentin për bimë dhe për cilësinë e produktit në përgjithësi.
Në total numërohen rreth 12 milionë pemë ulliri, me më shumë se 28 varietete tipike mesdhetare. Për shkak të natyrës dhe strukturës së saj, Shqipëria është shumë e përshtatshme për të prodhuar produkt organik. Në bazë të marrëveshjeve bilaterale dhe MSA-së, që janë në fuqi, Shqipëria mund të eksportojë vaj ulliri në tregjet e Bashkimit Evropian aplikuar pa taksa.
Qëllimi i udhëzuesit është shfrytëzimin i potencialit të këtij produkti, për ti dhënë vlerë të shtuar duke e eksportuar atë në tregun evropian apo atë ndërkombëtar. Kjo do të thotë se Shqipëria mund të eksportojë “vaj ulliri organik të çertifikuar me cilësi të lartë”.
Por si mund të zgjerohet prezenca e këtij produkti në tregjet botërore? Referuar udhëzuesit, ky proces fillon që nga prodhimi, ku këshillohet që fermerët të kryjenë rregullisht analizat e tokës të cilat, jane thelbësore pasi sigurojnë informacion të vlefshëm në lidhje me nivelet e lëndëve ushqyese, pH dhe shëndetin e përgjithshëm të tokës.
Të shtojnë lëndë organike; të aplikojnë mulçe organike, të optimizojnë ujitjen duke aplikuar metodën e ujitjes me pika; të monitorojnë dhe rregullojnë në mënyrë të vazhdueshme pehashin i tokës; të përdorin plehra organikë; të zbatojnë masat e erozionit të tokës; të kontrollojn dëmtuesit dhe sëmundjet e ullirit; si dhe të ruajta e higjienën dhe përdorimi me maturi i pesticideve. Po ashtu jepen udhëzime mbi vjeljen, përdorimin e kontenierëve, transportimin e ullinjve në fabrikë, kontrollin e temperaturës gjatë përpunimit, etj.
Sa i takon tregtimit, fermerët duhet të kujdesen për përcaktimin e origjinës dhe etiketimin. Prodhuesit duhet të zbatojnë me rigorozitet kërkesat dhe dokumentacionin e BE në mënyrë që të eksportojnë, siç janë ato për cilësinë e vajit të ullirit, përmbajtjen , paketimin dhe etiketimin, si dhe dokumentacionin e duhur për eksport.
Për shkak të thatësirave të shumta prodhimi i ullinjve në vend ka humbur ndjeshëm terren. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2023 u prodhuan në total 117.6 mijë ton ullinj nga 157.7 që u prodhuan në vitin 2022, me një rënie që regjistrohet në 40.1 mijë ton./Scan