Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, tha se “projektligji ‘Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar” forcon masat për sigurinë ushqimore në vend.

Duke marrë fjalën në seancën e sotme plenare të Kuvendit, Denaj theksoi se projektligji vjen i përafruar me standardet e Bashkimit Evropian dhe ofron mbështetje për konsumatorët, fermerët blegtoralë, klinikat dhe farmacitë veterinare, si dhe për operatorët e prodhimit dhe importuesit e produkteve mjekësore veterinare.

“Ndërhyrja e qeverisë është e nevojshme për të mbushur një vakuum ligjor që ekziston në ligjin aktual, në lidhje me përcaktimin e rregullave për prodhimin, regjistrimin dhe tregtimin e produkteve mjekësore veterinare të prodhuara në Shqipëri”, tha Denaj.

Ministrja vuri në dukje se, “duke rritur standardet e prodhimit dhe të tregtimit të produkteve mjekësore veterinare të prodhuara në vend, kemi për qëllim të garantojmë sigurinë dhe efektivitetin e tyre”.

Projektligji përfshin detajimin e procedurave që sigurojnë prodhimin cilësor të produkteve mjekësore veterinare, duke u bazuar në parimet dhe praktikat e mira të prodhimit.

Po ashtu, do të rritet kontrolli mbi prodhimin e këtyre produkteve, duke forcuar sistemin e kontrollit zyrtar për të mbuluar të gjithë zinxhirin nga importimi i lëndës aktive deri në vendosjen në treg të produktit mjekësor veterinar.

Denaj tha se, “të gjitha kompanitë që do të prodhojnë produkte mjekësore veterinare në vend kanë detyrimin të përmbushin kriteret ligjore, të marrin autorizimin e nevojshëm për prodhimin e produkteve mjekësore të cilat do të vlerësohen nga një komision i posaçëm”.

Gjithashtu vijoi ajo, edhe importi i lëndës aktive do të bëhet në përputhje me standardet e zbatuara në të gjitha vendet e BE-së, kjo referuar legjislacionit të BE-së dhe opinioneve shkencore të mara nga Agjencia Evropiane e Sigurisë Ushqimore (EFSA)

Njëkohësisht, produktet që synojnë të tregtohen në Shqipëri, duhet të kenë certifikatë tregtimi nga EMA ose nga një nga vendet e BE-së.

Denaj tha se, “ndryshimet synojnë të shkurtojnë  kohën e regjistrimit për produktet mjekësore veterinare të importuara nga BE dhe për ato që janë vlerësuar nga Agjencia Evropiane e Barnave”.

“Produktet mjekësore veterinare me cilësi më të lartë ndihmojnë në kontrollin e sëmundjeve dhe kontribuojnë në prodhimin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore, që janë më të sigurta për konsum njerëzor, duke mbrojtur kështu shëndetin publik”, deklaroi ministrja.

Ndërhyrja e propozuara vijnë në përputhje me “Strategjinë Ndërsektoriale për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Peshkimin 2021-2027”, dhe me Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Ushqimore 2023–2027./ata