Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se, nga 1 korriku, 1650 mësues të arsimit profesional përfitojnë rritje page me +22,600 lekë/muaj, ose 30% duke e çuar pagën mesatare në 98,500 lekë.

Gonxhja tha se, rritje page me +10,000 lekë në muaj do të ketë edhe për 650 mësues të kulturës dhe teorisë profesionale për natyrë të veçantë pune.

Sipas tij, me 71% rritje të pagës do të ketë për çdo orë mësimore për mësuesit dhe instruktorët me kohë të pjesshme të shkollave profesionale, duke e çuar pagesën nga 350 lekë në 600 lekë për çdo orë mësimore.

“Rritja e pagave nuk është vetëm një instrument për të vlerësuar profesionistët për punën e tyre të përditshme, por është mbi të gjitha pjesë e pandashme e vizionit të Qeverisë për Shqipërinë 2030”, deklaroi Gonxhja./ata