Eksportet e mallrave në muajin shtator shënuan rritje me 36.6%, krahasuar me muajin gusht, ndërsa rezultuan me ulje prej 8.5%, krahasuar me shtatorin e një viti më parë.

Sipas raportit për Tregtinë e Jashtme të publikuar sot nga Instituti i Statistikave (INSTAT), eksportet në muajin shtator arritën vlerën 31 miliardë lekë.

Në uljen e eksporteve prej 8.5%, kanë ndikuar grupet “tekstile dhe këpucë” me 5.5 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2.1 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 0.9 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “ushqime, pije, duhan” me 0.5 pikë përqindje dhe “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 0.4 pikë përqindje.

Ndërkohë, importet e mallrave shënua rritje me 3% në shtator, krahasuar me muajin gusht, por ishin 3.1% më të ulëta, krahasuar me shtatorin e 2023-shit. Në vlerë ato llogariten 71 miliardë lekë.

Të dhënat e INSTAT-it treguan se deficiti tregtar i këtij muaji është 40 miliardë, duke u rritur me 1.5%, krahasuar me shtatorin e 2023-shit dhe duke u ulur me 13.2%, në krahasim me gushtin e 2024-ës.

Për periudhën janar-shtator eksportet e mallrave arritën vlerën 286 miliardë lekë, duke u ulur me 14.2%, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 666 miliardë lekë, duke u rritur me 2.4 %, krahasuar me një vit më parë.

/ata