Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u ndal në Shkodër, për të prezantuar Skemën Kombëtare të Investimeve, një nismë e qeverisë shqiptare, e cila synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e kësaj të fundit.

Në një takim me fermerët, ku i pranishëm ishte edhe kreu i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, Denaj njohu fermerët me masat dhe kriteret për aplikimin në Skemën Kombëtare të Investimeve, për t’iu lehtësuar procesin e aplikimeve.

Përmes një fondi prej 1.5 miliardë lekësh në formën e një granti prej 50% fermerët mbështeten për investimet kryesore në veçanti në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.

“Skema Kombëtare e Investimeve mbështet investimet për serrat e reja diellore, instalimin e rrjetave antibreshër, stalla të reja, mekanizimin e bujqësisë dhe rrjeta e kosha për akuakulturë”, deklaroi ajo.

Aplikimet për mbështetje përmes kësaj skeme janë të hapura deri më 8 nëntor./ata