Në drejtimin e kryetarit Arben Pëllumbi, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi mbledhjen e radhës online në platformën “Zoom”, ku zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidatët e propozuar nga Ekipi Përzgjedhës për një anëtar të bordit të Entit Rregullator të Energjisë, si dhe shqyrtoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin  “Për Turizmin”.

Pjesë e seancës dëgjimore për anëtarë të bordit të Entit Rregullator të Energjisë, ishin  Brunilda Tavani dhe Romir Pajenga. Të dy kandidatët paraqitën kandidaturat e tyre si edhe arsyet për të qenë pjesë e bordit të ERRE.

Pas seancës dëgjimore qe vazhdoi me pyetje për kandidatët, kryetari z. Pëllumbi u shpreh se të dyja kandidaturat do t’i paraqiten seancës plenare, por deri në momentin që seanca nuk ka mundësi të votojë në mënyrë të fshehtë, do të ngelen pezull deri në krijimin e mundësisë së votimit të fshehtë.

Mbledhja vazhdoi me prezantimin e projektligjit Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin  “Për Turizmin”, të ndryshuar”. Të ftuar ishin zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit  Vilma Bello dhe stafi shoqërues.

Në prezantim të këtij projektligji, Bello u shpreh se projektligji ka për qëllim të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik, tërheqës, autentik për vizitorët, duke mbështetur kështu zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm. Ndryshimet e propozuara kanë për qëllim të sigurojnë që ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve nëpërmjet rritjes në vazhdimësi të cilësisë së ofrimit të shërbimeve në sektorin e turizmit në një mjedis të shëndetshëm e të sigurt dhe duke respektuar nevojat e komuniteteve pritëse.

“Ndryshimet janë orientuar drejt lehtësimit të procedurave të ushtrimit të veprimtarive turistike, me qëllim krijimin e një klime miqësore me biznesin, pa cënuar standardet e ofrimit të shërbimit”, theksoi Bello në fjalën e saj.

Relatorja e çështjes Mirela Pitushi, vuri në dukje se ndryshimet e propozuara synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit përgjatë gjithë vitit dhe me shtrirje në të gjithë territorin e vendit, duke ofruar alternativa të tjera nëpërmjet zhvillimit të turizmit natyror dhe kulturor, përkrah atij të diellit dhe detit. Kjo mundëson zhvillimin e turizmit edhe në zona të thella malore apo në zona të tjera, të cilat deri tani nuk janë të përfshira në hartën turistike të vendit, nëpërmjet ushtrimit të veprimtarive të reja turistike, siç janë përkatësisht agroturizmi, veprimtaritë sportive rekreative etj.

Mbledhja vazhdoi me diskutime, komente dhe sugjerime të ndryshme mbi këtë projektligj./ata