Punimet për ndërtimin e Urës së Bilçës janë drejt përfundimit, ku pas vendosjes së trarëve fillon puna për mbistrukturën e urës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për ndërtimin e kësaj ure.

“Ura e Bilçës lidh fshatrat Bilçë, Malinat dhe Zhitom i Vogël dhe së shpejti do të lidhet edhe me rrugën e fshatit Drobonik dhe me gjithë fluksin e mjeteve, që do të qarkullojnë nëpërmjet aksit Berat- Ballaban- Përmet- Gjirokastër- Greqi, duke u bërë kështu një portë e madhe e prurjeve turistike drejt Beratit mijëravjeçar”, theksoi Rama.

Kjo urë e kthen Bilçën në lagje të qytetit dhe për më tepër zgjeron paketën turistike të Beratit, ku vizitorët vetëm pak minuta larg do të gjejnë destinacionet e ekoturizmit.

Ura do të jetë me gjatësi prej 268 metra dhe gjerësi të superstrukturës 12.4 metra ku përfshihen dhe trotuare dhe korsi për biçikleta.

Ndërtimi i urës është projekti i bashkisë Berat dhe po realizohet falë partneritetit me Fondin Shqiptar për Zhvillim dhe financimit me grant nga fondet e Bashkimit Evropian nëpërmjet Bankës Evropiane për Zhvillim./ata