Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se numri i personave që humbën jetën nga virusi Marburg në Ruandë është rritur në 15.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus dha një deklaratë për mediat në lidhje me epideminë e virusit Marburg në Ruandë. Ai tha se ka patur 62 raste ndërsa 15 persona kanë humbur jetën që nga shpallja e epidemisë në vend.

Ghebreyesus tha se 17 persona janë nën izolim dhe kujdes ndërsa 30 persona janë shëruar. Lidhur me mundësinë që kufizimet e udhëtimit dhe tregtisë mund të dëmtojnë ekonomitë lokale, Ghebreyesus përsëriti deklaratat e tij se kjo ishte e panevojshme.

Duke iu referuar epidemisë së virusit Mpox në Republikën Demokratike të Kongos, Ghebreyesus tha: "Të kuptuarit e dinamikës së transmetimit në RD të Kongos është një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballemi".

Ai tha se nevojiten ndërhyrje të koordinuara ndërkombëtare për të parandaluar në mënyrë efektive këto epidemi. Autoritetet e Ruandës njoftuan se që nga 5 tetori, 46 persona në vend u infektuan me virusin ndërsa 12 prej tyre humbën jetën.

Vizitat e pacientëve në qendrat shëndetësore janë të ndaluara për të kontrolluar përhapjen e sëmundjes. Si pjesë e masave, autoritetet vendosën kufizime edhe për disa aktivitete si udhëtimet dhe takimet.

 

- Shkalla e vdekshmërisë në virusin Marburg është deri në 88 për qind

Shkalla e vdekshmërisë tek personat e infektuar me virusin Marburg, i cili vjen nga e njëjta familje me virusin Ebola, mund të arrijë deri në 88 për qind.

Virusi, i transmetuar nga lakuriqët e natës te njerëzit, përhapet përmes kontaktit me njerëzit e infektuar. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje muskujsh, diarre, të vjella dhe në disa raste humbje të tepërt të gjakut.

OBSH-ja thotë se nuk ka asnjë trajtim apo vaksinë specifike kundër virusit, por janë zhvilluar një sërë produktesh gjaku, ilaçesh dhe trajtimesh imune./aa