Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ka mbrojtur vendimin e qeverisë së tij për rifillimin e eksporteve të armëve në Izrael, pavarësisht luftës gjenocidale të Tel Avivit në Rripin e Gazës.

Duke folur me gazetarët në Bruksel sapo mbërriti në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian (BE), Scholz tha se ata do të diskutojnë për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe mbështetjen e tyre për Izraelin kundër grupit palestinez Hamas.

"Për mua, është e qartë se mbështetja e Izraelit do të thotë se ne duhet të sigurojmë aftësinë e Izraelit për të mbrojtur veten herë pas here, për shembull duke furnizuar mallra ushtarake ose armë", tha Scholz.

Kancelari gjerman theksoi se Izraeli derisa lufton Hamasin duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar, të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza si dhe të përmbahet nga hapat që mund të çojnë në një përshkallëzim më të gjerë në rajon.

Komentet e tij vijnë pasi media lokale raportuan se Gjermania javën e kaluar ka rifilluar eksportet e saj të armëve në Izrael pasi mori garanci nga Tel Avivi se nuk do t'i përdorë armët për të kryer gjenocid.

Partia e të Gjelbërve, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës të kancelarit Scholz, thuhet se në muajt e fundit ka bllokuar eksportin e armëve të luftës në Izrael, nga frika se dërgesat mund të përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Gjermania ka qenë aleat i vendosur i Izraelit dhe zyrtarët në Berlin vazhdimisht kanë deklaruar se vendi mban përgjegjësi të veçantë për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës naziste.

Por, kritikët thonë se mbështetja e përgjithshme e Gjermanisë për qeverinë izraelite, të udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, po minon seriozisht kredibilitetin e saj jashtë vendit dhe se Berlini po izolohet gjithnjë e më shumë në skenën globale.

Që kur filloi luftën kundër Hamasit në Gaza tetorin e kaluar, Izraeli ka vrarë të paktën 42.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe ka plagosur rreth 99 mijë të tjerë.

Izraeli po përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për veprimet në enklavën e rrethuar, ku miliona palestinezë janë zhvendosur duke u përballur me uri dhe mungesa akute të ndihmës mjekësore dhe gjërave të tjera thelbësore./aa