Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka zhvilluar biseda me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Abdullah bin Zayed Al Nahyan dhe ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan Al Saud.

Në një deklaratë me shkrim nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller ndahet informacioni se Blinken ka diskutuar me homologët e tij të EBA-së dhe Arabisë Saudite lidhur me zhvillimet dhe tensionet që vazhdojnë në Lindjen e Mesme.

Në bisedën me Al Nahyan, Blinken ka shkëmbyer mendimin për përpjekjet diplomatike për "sigurimin e armëpushimit që do të lehtësojë nivelet e ndihmës humanitare në rritje dhe të vazhdueshme në Gaza dhe lirimin e pengjeve".

Sekretari amerikan ka përsëritur angazhimin për arritjen e marrëveshjes në Gaza si dhe ka potencuar mirënjohjen e tij për mbështetjen e rëndësishme humanitare që EBA-ja siguron për Gazan, përfshirë evakuimin këtë javë të 148 palestinezëve në nevojë për trajtim mjekësor urgjent.

Blinken në bisedën me homologun saudit, Faisal bin Farhan Al Saud vuri theksin se armëpushimi në Gaza dhe lirimi i pengjeve kanë rëndësi parësore. Bëhet e ditur se Blinken vlerësoi përpjekjet e Arabisë Saudite për të dërguar ndihmë në Gaza.

Dy diplomatët tërhoqën vëmendjen mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në bisedimet e armëpushimit të planifikuara në gusht, arritjen e marrëveshjes për t'i dhënë fund konfliktit dhe lejimin e mbërritjes së ndihmës humanitare tek personat në nevojë./aa