Kriza ushqimore e shkaktuar nga thatësira më e rëndë në 40 vitet e fundit në rajonin jugor të Afrikës ka lënë 15 milionë njerëz në nevojë për ndihmë urgjente ushqimore.

Që nga fillimi i këtij muaji, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, për shkak të fenomenit të motit ‘El Nino’ që ka qenë në fuqi që nga korriku i vitit 2023, rajoni po përjeton thatësirën më të keqe në 40 vite, duke prekur kryesisht Zambinë, Malavinë, Zimbabvet, Mozambikun, Namibinë, Angolën, Bostvanën dhe Lesoton.

Vendet e rajonit, të cilat në muajin prill u përballën me të korrat e tyre më të këqija në pesë vitet e fundit, tani po përballen me një krizë serioze ushqimore pasi rezervat po mbarojnë.

Kequshqyerja dhe mungesa e ujit, nga ana tjetër, pritet të çojnë në një rritje të konsiderueshme të sëmundjeve epidemike në muajt e ardhshëm.

 

- Mbi 22 milionë njerëz përballen me nivele të larta të pasigurisë ushqimore

Sipas të dhënave nga Komuniteti i Zhvillimit të Afrikës Jugore (SADC), popullsia totale e Zambisë, Malavisë, Zimbabve, Mozambikut, Angolës, Namibisë, Lesotos dhe Bostvanës, vendeve më të prekura nga thatësira, arriti në 130 milionë.

Më shumë se gjysma apo rreth 68 milionë kërkojnë nivele të ndryshme të ndihmës për shkak të thatësirës dhe urisë.

Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i lëshuar më 14 tetor me titull "Uria në Afrikën Jugore", tha se më shumë se 22 milionë njerëz në rajon po përballen me nivele të larta të pasigurisë ushqimore.

Raporti thekson se gjashtë muaj para periudhës së ardhshme të korrjes prillin e vitit të ardhshëm, rezervat ushqimore të vendeve të rajonit kanë arritur në një pikë kritike.

Kjo situata ka çuar që 15 milionë njerëz të kenë nevojë për ndihmë urgjente ushqimore duke filluar nga ky muaj, gjë që tregon krizën e rëndë humanitare që pritet të shpaloset në muajt e ardhshëm.

Raporti gjithashtu theksoi se 2 milionë fëmijë vuajnë nga kequshqyerja akute, prej të cilëve 500 mijë përballen me "shkatërrim" të rëndë.

 

- Vendet më të prekura nga kriza ushqimore

Sipas të dhënave të OBSH-së, Zambia, Malavi, Zimbabve, Namibia, Lesoto dhe Bostvana janë gjashtë vendet e Afrikës Jugore që kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të urisë dhe thatësirës, së bashku me Mozambikun dhe Angolën, të cilat gjithashtu janë prekur thellë nga fatkeqësia.

Zambia kryeson listën me 5,8 milionë banorë që përballen me nivele të larta të pasigurisë ushqimore.

Pas Zambisë, Malavi ka 5,7 milionë të prekur, Zimbabve 4,4 milionë, Mozambiku 3,3 milionë, Angola 1,5 milion, Namibia 1.2 milion, Bostvana 400 mijë, si dhe Lesoto 37 mijë.

 

- Pritet rritje e shpërthimeve të sëmundjeve

Miliona njerëz po përjetojnë mungesë të ujit përderisa burimet në rajon po thahen.

Qasja e kufizuar në ujin e pijshëm dhe atë për nevoja shtëpiake rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjeve që vijnë nga uji.

Raporti i OBSH-së parashikon se së bashku me kequshqyerjen dhe kushtet e vështira të jetesës në muajt e ardhshëm mund të ketë një rritje të rasteve të kolerës, malaries, poliomielitit, tuberkulozit dhe fruthit.

 

- Kriza energjetike

Për vendet në rajon që mbështeten shumë në hidrocentralet për prodhimin e energjisë elektrike, thatësira gjithashtu nënkupton një krizë energjetike.

Sipas një raporti të lëshuar në muajin shtator nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Namibia ka përjetuar ndërprerje ditore të energjisë që në muajin shtator zgjasnin deri në 21 orë, me nivelet e rezervuarëve që kanë rënë në rreth 30 për qind.

Në Zambi, ku prodhimi i energjisë elektrike mbështetet ndjeshëm në digën Kariba në lumin Zambezi, niveli i ujit ka rënë nën 8 për qind, duke çuar në një mesatare prej vetëm tre orësh furnizim me energji elektrike në ditë.

 

- Sezoni me shi po afron

Organizata Botërore Meteorologjike parashikon se rajoni pritet të jetë nën ndikimin e fenomenit të motit ‘La Nina’ duke filluar nga muaji i ardhshëm.

Ndryshe nga ‘El Nino’, që shkaktoi thatësirën në rajon, ‘La Nina’ zakonisht çon në reshje të mëdha shiu mbi mesataren në zonë.

Derisa situata është e rëndësishme për rimbushjen e burimeve ujore, gjithashtu parashikohet se përmbytjet e mundshme dhe uji i tepërt mund të ndikojnë negativisht në bujqësinë në rajon.

Rajoni po ashtu duhet të presë që të korrat e pritura në muajin prill të rikuperohen nga efektet e thatësirës./aa