Shefi ekzekutiv i Tesla-s, miliarderi Elon Musk, është bërë një nga mega-donatorët më të shquar republikanë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA, duke shpenzuar rreth 75 milionë dollarë për të ndihmuar rizgjedhjen e Donald Trumpit si president i SHBA-së.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Federal i Zgjedhjeve (FEC), Musk ishte donatori i vetëm i "American PAC", respektivisht Komitetit të veprimit politik që ai krijoi duke shpenzuar rreth 72 milionë dollarë për të mbështetur përpjekjen e Trumpit për të rifituar Shtëpinë e Bardhë.

Shumat totale të mbledhjes së fondeve u mblodhën nga dosjet tremujore të FEC-it midis korrikut dhe shtatorit.

Musk, i cili vlerësohet si personi më i pasur në botë, përkrahu Trumpin pas një atentati të dështuar ndaj ish-presidentit në shtetin e Pensilvanisë. Që atëherë, Musk ka përqendruar përpjekjet në shtetet kryesore të fushëbetejës dhe është bërë një krah i rëndësishëm për mbledhjen e fondeve për fushatën e Trumpit. Miliarderi po ashtu u bashkua me ish-presidentin në skenë në një tubim të fushatës në vendin e atentatit të dështuar.

Donatorët e tjerë të mëdhenj republikanë të listuar në raport përfshinin investitorët kapitalistë, Marc Andreessen dhe Ben Horowitz, të cilët secili dhuruan nga 2.5 milionë dollarë për një "super PAC" që mbledh para për ish-presidentin. Sipas mediave, Horowitz tha se ai do të bënte një "dhurim të rëndësishëm", për të mbështetur zv/presidenten Kamala Harris, kandidaten demokrate për presidente.

Miriam Adelson, një lojtare e fuqishme republikane izraelito-amerikane, së bashku me bashkëshortin e saj të ndjerë dhe manjatin e kazinosë, Sheldon Adelson, u rendit si një tjetër mega-donator. Fondi i saj "Ruaj Amerikën" ka mbledhur gati 100 milionë dollarë për përpjekjen e Trumpit për të rimarrë Zyrën Ovale.

Trashëgimtari i hekurudhurave, Timothy Mellon, u rendit si mega-donatori më i madh republikan këtë vit, duke kontribuar me 125 milionë dollarë në fushatën "Bëje Amerikën përsëri të madhe". Pavarësisht nga kaskada e parave që vijnë nga grupet e veprimit politik republikan, shuma e fondeve të mbledhura për Trumpin po zbehet në krahasim me dollarët që sillen për zv/presidenten Harris dhe organizatat demokratike për mbledhjen e fondeve.

Një shembull i cituar nga Radioja Publike Kombëtare zbuloi se Grupi i veprimit republikan "Trump 47" mblodhi 145 milionë dollarë gjatë verës. Në të kundërtën, gjatë të njëjtës periudhë, një grup i përbashkët demokratik për mbledhjen e fondeve, përkatësisht "Fondi i fitores së Harrisit", eklipsoi përpjekjet e "Trump 47" me mbi katër herë më shumë se shuma e saj, respektivisht duke arritur në 633 milionë dollarë.

Një tjetër fond për zv/presidenten Harris "Përpara e ardhmja", tashmë ka mbledhur 175 milionë dollarë këtë vit kalendarik. Donatorët më të mëdhenj individual të grupit përfshijnë miliarderin dhe ish-kryebashkiakun e qytetit New York, Mike Bloomberg, i cili dhuroi 19 milionë dollarë si dhe themeluesin e LinkedIn, Reid Hoffman, i cili kontribuoi me 10 milionë dollarë./aa