Ministria e Financave ka nisur punën për hartimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2025,  për të cilin pritet të nisin diskutimet në komisionet parlamentare muajin nëntor. Burime për SCAN TV, bëjnë me dije se aktualisht me diskutimet përkatëse për të adresuar nevojat për vitin e ardhshëm po merren ministrisë e linjës dhe agjencitë e pavarura.

Duke qenë se perfomanca e të ardhurave gjatë këtij viti ka qenë e kënaqshme, nxitur nga rritja e pagave dhe e konsumit, duket se edhe buxheti i shpërndarë gjatë 2025 për institucionet publike do të jetë me rritje në raport me këtë vit, kjo bazuar edhe në kërkesat dhe nevojat e paraqitura por edhe në prioritet që do të ketë qeveria.

Referuar buxhetit afatmesëm të qeverisë, për vitin 2025, parashikohet rritje e financimit për sektorin shëndetësor, me afro 3.6 miliardë lekë. Po ashtu një rritje të konsiderueshme parashikohet për buxhetin e arsimit, duke akomoduar dhe rritjen e pagave e cila u bë efektive në korrik të këtij viti, buxhet i cili do të kapërcejë me afro 8.5 miliardë lekë.

Prioritet do ti jepet edhe gjatë vitit të ardhshmen investimeve kryesisht në infrastrukturën rrugore dhe transportin detar,  për projekte të nisura apo për financimin e projekteve të reja, ku buxheti për Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës parashikohet të rritet me 12.5 miliardë lekë në raport me buxhetin fillestar të këtij viti.

Nga ana tjetër, pavarësisht kontributit që jep në punësim dhe ekonomi, bujqësia sërish duket se do të trajtohet si në vitin 2024, me një buxhet që qëndron pak a shumë në të njëjtat nivele, në rreth 14.2 miliardë lekë.  Edhe ministria e Drejtësisë, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Turizmit, do të jetë në të njëjtat nivele buxhetore,  ndërsa Ministria e Brendshme do të ketë një rritje prej rreth 1.5 miliardë lekësh dhe Ministria e Mbrojtjes prej 2.7 miliardë lekësh duke ruajtur kufirin e shpenzimeve buxhetore ne nivelin 2% të PBB.

Nga shifrat e parashikuara në dokumentin buxhetor afatmesëm mund të ketë lëvizje të vogla në varësi të kërkesave, por qasja do të jetë e njëjtë./Scan