Në kuadër të projektit “Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik dhe Rajonal, Nxitja e Punësimit dhe Arsimi dhe Formimi Profesional” (PROSEED 2.0), zbatuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe GIZ, dhe financuar nga qeveria gjermane, u shpallën sot fituesit e granteve Smart&Green Future.

I pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja u shpreh mirënjohës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe përkushtimin e stafit të Ambasadës gjermane në Shqipëri.

“ProSEED 2.0 synon zhvillimin e sektorit privat, përmirësimin e punësimit dhe arsimit profesional, duke integruar elementët digjitalë dhe të gjelbër në përputhje me prioritetet e BE-së”, tha Gonxhja.

Ministri vuri në dukje se, fokusi i qeverisë mbetet rritja e punësimit dhe vetëpunësimit, rritja e konkurrencës së sektorit privat dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm.

“Sot, 75 grante janë akorduar për sipërmarrësit dhe bizneset ekzistuese që do të integrojnë elemente të gjelbra dhe digjitale në proceset e tyre të biznesit. Nga 204 aplikime, 35 femra dhe 49 meshkuj janë shpallur fitues, duke përfshirë sektorë si bujqësia, IT, tekstilet, turizmi, zejtaria dhe tregtia”, tha Gonxhja.

Ministri theksoi se “së bashku, mund të kemi një ndikim pozitiv në zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e punësimit”.

“Skema të tilla janë thelbësore për forcimin e kapaciteteve të NVM-ve dhe sigurimin e rritjes ekonomike”, tha Gonxhja./ata