Edhe pse zhvlerësimi i euros ka goditur tregtarët shqiptarë, të cilët kryesisht eksportojnë mallra në vendet e Bashkimit Europian, kjo nuk i ndalon ata të gjejnë tregje të reja për të ofruar produktet e përpunuara në Shqipëri.

Tregtarët po gjejnë gjithnjë e më shumë rrugë alternative duke lidhur kontrata të reja me vende ku leku, në raport me valutën e vendit tjetër, ka një farë qëndrueshmërie.

Nga të dhënat e Institutit të Statistikave, përgjatë 9-mujorit të parë të vitit, Shqipëria ka rritur eksportet kryesisht me vendet në Lindjen e Mesme.

Me Izraelin, eksporti i mallrave gjatë periudhës janar-shtator 2024 arriti në 291 milionë lekë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, eksportet u trefishuan.

Gjithashtu, kanë shënuar rritje dhe vende të tjera të Azisë si Jordania, Mongolia, Nigeria, dhe Tajlanda.

Ky i fundit është vendi ku Shqipëria ka eksportuar më shumë mallra sipas Instat; nga 3.7 milionë lekë gjatë janar-shtatorit 2023, në plot 29 milionë lekë gjatë periudhës së vitit aktual. Shqipëria kryesisht eksporton drejt vendeve të Azisë veshje dhe këpucë./Scan