Me një fond limit prej 12.3 mln lekë, Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin për hartimin e Planit të Veprimit për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit, një dokument planifikimi strategjik, që mundëson zbatimin e politikës kombëtare në fushën e cilësisë së ajrit në nivel vendor. Ndotja e ajrit përbën një nga kërcënimet më serioze për shëndetin, ndërkohë që në dokumentet e tenderit specifikohet se në Planin e Veprimit “Qyteti i Gjelbër” janë përcaktuar disa masa, por për shkak të zhvillimit të madh që ka marrë Tirana vitet e fundit, ato janë të pamjaftueshme.

Disa matje alternative të kryera nga organizatat e shoqërisë civile kanë nxjerrë në pah tejkalimin e normave të lejuara të ndotësve në ajër. Ndërkohë që, bashkia ia atribuon këtë situatë shtimit të territorit dhe popullsisë, rritjes së përdorimit të mjeteve të transportit apo rritjes së prodhimit të produkteve bujqësore e blegtorale.

Ndërkaq, nëpërmjet hartimit të planit të ri synohet ulja e vazhdueshme e përqëndrimit të ndotësve në ajër, përmirësimi dhe ruajtja e cilësisë së ajrit në zonat që kanë kaluar limitet e vendosura në ligj dhe në direktivat e Bashkimit Evropian.

Kompania që do të fitojë tenderin do të duhet që paraprakisht të kryejë monitorimin e cilësisë së ajrit për një  periudhë 6-mujore. Për të arritur në konkluzione matjet do të realizohen në muajin e parë, të tretë dhe të gjashtë ( javën e parë të cdo muaji, minimumi 7 ditë kalendarike për secilin muaj), në 6 pika në zonën urbane dhe në 6 pika në zonën rurale./Scan