Bizneset kanë më tepër detyrime financiare sesa zotërime, ose e thënë ndryshe, borxhi i biznesit është shumë më i lartë sesa pasuritë që zotërojnë.

Por, sa pasuri financiare zotërojnë konkretisht bizneset?

Në fund të vitit 2023, biznesi zotëronte rreth 1,89 trilionë lekë mjete apo pasuri financiare, shifër e cila përbën rreth 23% të totalit të mjeteve të brendshme financiare. Rreth 23% e mjeteve financiare të bizneseve janë në monedha dhe depozita, ndjekur nga aksione dhe kapital tjetër me 7.7% dhe hua gati 6%. Zotërimet në sigurime, skema pensioni dhe letra me vlerë të borxhit së bashku përbëjnë vetëm 3% të aktiveve financiare.

Sektori i biznesit ka rritur investimet e tij në monedha dhe depozita, hua, aksione dhe kapital tjetër. Konkretisht, investimet e bizneseve në monedha dhe depozita u rritën me 44 miliardë lekë në nivelin 436 miliardë lekë, në fund të vitit 2023. Mjetet financiare në formën e huasë arritën në 113 miliardë lekë, ndërsa investimet në aksione dhe kapital tjetër u rritën me 19 miliardë lekë në nivelin 146 miliardë lekë.

Po për sa i përket detyrimeve, çfarë thonë shifrat?

Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, rrreth 55% e detyrimeve financiare të bizneseve janë aksione dhe kapital tjetër, 26% janë llogari të tjera të pagueshme, 18% hua dhe vetëm 1% janë letra me vlerë të borxhit. Detyrimet në hua të korporatave jofinanciare pësuan rënie gjatë vitit 2023, duke shënuar vlerën e 764 miliardë lekëve. Ky zhvillim i atribuohet kryesisht luhatjeve të kursit të këmbimit të lekut ndaj euros./Scan