Sot në Ditën Evropiane Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Shkodër, me sloganin: “Nga ndërgjegjësimi në veprim: Bashkohuni në luftën kundër trafikimit”.

Në fjalën e tij ministri Hoxha nënvizoi disa nga masat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në luftën dhe parandalimin e trafikimit të personave.

“Gjatë punës tashmë disavjeçare për parandalimin dhe luftën kundër trafikut njerëzor, kemi krijuar rrjete dhe mekanizma efikase jo vetëm për të goditur autorët dhe grupet kriminale, por duke u fokusuar më shumë në dhënien e shërbimeve të duhura, të pakushtëzuara dhe në kohë për viktimat e trafikimit”- u shpreh ministri Hoxha.

Sipas ministrit Hoxha, veprimet qeverisë janë fokusuar kryesisht, në: rivitalizimin dhe forcimin e strukturave kombëtare të referimit për viktimat e trafikimit në nivel qendror dhe lokal; kontrollin e trafikimit të brendshëm, kryesisht të fëmijëve dhe grave; përmirësimin e standardeve të identifikimit dhe mbrojtjes së viktimave; intensifikimin dhe zhvillimin e aktiviteteve për parandalimin; rritjen e ndërgjegjësimit të publikut e të personelit që punon me shërbimet e ndihmës.

Ministri i Brendshëm u shpreh se një model pozitiv dhe tepër efikas, i vlerësuar si një ndër mekanizmat më të suksesshëm, është Mekanizmi Kombëtar i Referimit (MKR).

“Ky model, që u rishikua vitin e kaluar, përbën marrëveshjen bazë ndër-institucionale, ndërmjet 15 institucioneve shtetërore, institucioneve të pavarura, organizatave kombëtare e ndërkombëtare për identifikimin, referimin, mbrojtjen dhe ri-integrimin e viktimave të trafikimit”- tha Hoxha.

Në korrik të këtij viti, shtoi ministri Hoxha, qeveria miratoi Planin Kombëtar të Veprimit (PKV) për Luftën kundër trafikimit të personave 2024-2025.

Sipas ministrit plani shpreh përkushtimin e qeverisë shqiptare, të institucioneve shtetërore e jo-shtetërore dhe të aktorëve antitrafikim që punojnë në strukturat publike e jo-publike, për të minimizuar trafikimin e personave.

“Implementimi i këtij Plani Veprimi mbështetet në parimet e gjithëpranuara, sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda, trafikimit të personave dhe, në veçanti, në parimin e përgjegjësisë shtetërore për të marrë masa për t’iu përgjigjur situatës së trafikimit në kohë, me efektivitet e në mënyrë gjithëpërfshirëse”- u shpreh ministrin Hoxha.

Ndër të tjera në fjalën e tij ministri Hoxha tha se nga viti 2015 deri tani, me fondet e buxhetit të shtetit, është mundësuar paga e punonjësve socialë në 3 qendrat jo-publike, pjesë e Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafik, dhe fondi për ushqim i viktimave të trafikimit.

Ministri i Brendshëm tha se në bashkëpunim me anëtarët e Mekanizmit Kombëtar të Referimit është ngritur Bordi Këshillimor për viktimat e trafikimit.

“Krijimi i një Bordi Këshillues, sipas modelit amerikan, në përbërje të të cilit janë të mbijetuarit (viktima apo viktima të mundshme të trafikimit), erdhi si një risi për të kuptuar më thellë problematikat që ndeshin ato në jetën e tyre, dhe për një adresim më të mirë të nevojave që kanë. Bordi ka rol këshillues për çështjet e luftës kundër trafikimit të personave, të parandalimit, ndjekjes penale dhe, në veçanti, mbrojtjes së viktimave.

“Rivitalizimi i Linjës Kombëtare falas për denoncimin e rasteve të trafikimit 116 006 është në zemër të kësaj fushate, prandaj, me mirënjohje them se, të gjithë bashkë, ne mundemi! “Nga ndërgjegjësimi në veprim: Bashkohuni në luftën kundër trafikimit! ”- u shpreh Hoxha./ata