Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Enea Karakaçi hodhi poshtë akuzat e ngritura nga opozita për abuzim në procesin e shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike nga ana e këtij operatori.

Në një prononcim në një nga mediet televizive në vend, Karakaçi tha se opozita po hedh pluhur mbi këtë sektor që, sipas tij, është në mesin e një transformimi rrënjësor.

“Janë akuza false dhe abuzime politike që vijnë, pasi denoncuesi është në të njëjtën zonë politike me zv/kryeministren, nga paaftësia për t’u përgjigjur me punë dhe me debate politike, patjetër hedh pluhur mbi një sektor që është në mesin e një transformimi rrënjësor”, u shpreh ai.

Akuza, sipas tij, lidhet me shitjen e energjisë elektrike apo jo në Bursën e Energjisë.

“Kjo Bursë është e re, ka rreth 2 vite. Në dy vite ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm. Jemi bashkuar me palën kosovare, që ka 12 kompani që janë të regjistruara në Bursën shqiptare të Energjisë. Jo të gjitha flukset e energjisë kalojnë në bursë. Bursa e parë në rajon është ajo e Serbisë, që është krijuar para 15 vitesh. Në bursë nuk bëhen blerje afatgjata, por afatshkurta. Dua të theksoj se gjithë kompanitë publike janë promotorët më të mëdhenj të bursës”, deklaroi kreu i OSHEE-së.

Ai theksoi se KESH bën çdo ditë tentativa në bursë.

“Bursa është akoma shumë e re. Pjesa më e madhe e operacioneve dështon, pasi nuk ka kundërpalë që të blejë sasinë e energjisë”, u shpreh ai.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka paditur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), zëvendëskryeministren Belinda Balluku, njëherësh, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nga kryesia e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar në PD, Gazment Bardhi tha se, ministrja socialiste ka shmangur shitblerjen e energjisë në bursë për të favorizuar 4-5 kompani pranë saj./ata