Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) vijon me nismën “Investor Support Day,” dhe këtë radhë bashkoi investitorë italianë, për të diskutuar sfidat dhe mundësitë me të cilat ata ndeshen në Shqipëri.

Në takim, ku morën pjesë ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zëvendësministri i MEKI-t, Sokol Duma, zëvendësministrja e Financave, Vasilika Vjero, drejtori i AKPA, Klevis Hysa dhe zëvendësambasadorin e Italisë, Stefano Salmaso, u theksua rëndësia e vazhdimit të mbështetjes për investimet italiane në Shqipëri, të cilat zënë sot vendin e dytë.

Në fokus të këtij takimi ishte bashkëbisedimi me investitorët, ku ata patën mundësinë të sugjeronin dhe adresonin çështjet e rëndësishme për ta në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve.

Drejtoresha ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro, krahas ofrimit të mbështetjes së AIDA për investitorët, bëri me dije të pranishmit se shumë shpejt AIDA do të ofrojë një aplikacion mobile kushtuar investitorëve ekzistues në Shqipëri.

Ndërsa ministri Blendi Gonxhja, i siguroi investitorët për përpjekje maksimale nga MEKI për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve./ata