Në mjediset e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u zhvillua ceremonia e nisjes së projektit “Bashkimi Evropian për Qeverisjen e Mirë”, me pjesëmarrjen e Komisionerit Besnik Dervishi, përfaqësuesve të Delegacionit të BE në Shqipëri dhe ekspertëve të tij.

Projekti synon që nëpërmjet standardeve bashkëkohore komunitare të rrisë nivelin e transparencës në veprimtarinë e administratës publike shqiptare dhe të nxisë akoma më shumë luftën kundër korrupsionit.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është një nga përfituesit pjesë e Komponentit të 4-t të këtij projekti.

Nga zbatimi i tij pritet forcimi i kapaciteteve administrative dhe profesionale jo vetëm i stafit të institucionit, por edhe i autoriteteve publike dhe grupeve të interesit për zbatimin e kuadrit të modernizuar ligjor të të dy fushave të përgjegjësisë.

Tre komponentët e projektit janë forcimi i kapaciteteve institucionale dhe koordinatorëve për të drejtën e informimit për zbatimin efektiv të ligjit nr. 45/2022 “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës “Për aksesin në dokumente zyrtare” (Konventa 205) dhe ligjit nr. 33/2022 “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”.

Ofrimi i asistencës për të garantuar zbatimin efektiv të Konventës së modernizuar të Këshillit të Evropës “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale” (Konventa 108+), përfshirë në legjislacionin shqiptar me miratimin e ligjit 49/2022.

Si dhe mbështetje koordinatorëve për të drejtën e informimit, gjithashtu, institucioneve qendrore dhe vendore, për të përmirësuar trajtimin e kërkesave për informacion për një zbatim më efektiv të ligjit për të drejtën e informimit.

Zyra e Komisionerit thekson se, asistenca e BE është e rëndësishme në funksion të konsolidimit të veprimtarisë institucionale për garantimin e ushtrimit praktik të të drejtave nga qytetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së autoriteteve publike.

Ky projekt është, gjithashtu, konfirmim i bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efektiv të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri me Zyrën e Komisionerit, në kuadër edhe të procesit të integrimit, për shkak të rolit dhe kontributit kryesor që institucioni ka në këtë kontekst./ata