Ambasada Gjermane në Tiranë, përmes një grupi përfaqësues ka dhënë mbështetjen e saj për të gjithë turistët dhe shtetasit gjermanë që kanë nevojë për kujdes dhe trajtim shëndetësor pranë Spitalit Universitar të Tiranës.

Përfaëqsues të ambasadës gjermane në Tiranë zhvilluan takim në Spitalin Universitar të Traumës me drejtoren e Përgjithshme Dr. Edlira Boden dhe ekipin e saj, ku u fol për rastet e përkujdesit shëndetësor për turistët, shtetas gjermanë, të cilët kanë pasur dhe do të kenë nevojë për kujdes dhe trajtim shëndetësor pranë SUT.

Ambasada e cilëson këtë si një takim të frytshëm që garanton jo vetëm bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe si një mbështetje për të gjithë të huajt që vizitojnë Shqipërinë në çdo periudhë të vitit, turistët me disa netqëndrimesh që të mund të marrin gjithë shërbimin e nevojshëm spitalor, në kushte optimale dhe me aparatura të fjalës së fundit.

Edhe Spitali Universitar i Traumës e cilësoi takim të frytshëm atë me Dr. Dagmar Banisch, mjeke rajonale e Ministrisë Federale Gjermane të Punëve të Jashtme, Thomas Scheidt, drejtor i Administratës në ambasadën gjermane,  Lediana Doci, bashkëpunëtore e Administratës. Në rrjetet sociale, SUT njoftoi se në takim u diskutua për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional dhe kushtet optimale me aparatura të fjalës së fundit që ofron SUT për çdo qytetar dhe turist.

Ambasada Gjermane vlerësoi punën e gjithë ekipit të mjekëve dhe drejtuesve të SUT-së, duke shprehur mirënjohjen për profesionalizmin dhe gatishmërinë e ekipit mjekësor dhe mbështetës, për çdo turist që ka nevojë për kujdes shëndetësor të specializuar për trauma dhe politrauma./ata