Ilir Binaj, drejtor i përgjithshëm i Tatimeve, gjatë një bashkëbisedimi sot me pensionistë për skemën e pensioneve, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, tha se qëllimi i drejtorisë së Tatimeve është rritja e pagesave të sigurimeve shoqërore dhe lufta ndaj informalitetit.

Sipas Binajt, rritja e pagesave të kontibuteve në skemën e sigurimeve shoqërore do të mundësonte një rritje të qëndrueshme të pensioneve.

“Kjo nuk është vetëm çështje financiare, por çështje respekti dhe drejtësie. Për këtë qëllim detyra ime e parë me ardhjen nga SHBA dhe emërimin si drejtor i përgjithshëm i Tatimeve është rritja e pagesave të sigurimeve shoqërore dhe lufta ndaj informalitetit që ishte me pagat e mosdeklaruara”, u shpreh Binaj.

“Përpjekja jonë është rrisim pagesat e këtyre kontributeve në skemën e sigurimeve shoqërore, gjë që do të mundësonte një rritje të qëndrueshme të pensioneve”, shtoi ai.

Binaj informoi se Drejtoria e Tatimeve ka marrë një sërë nismash për të ulur informalitetin, duke filluar nga ndërgjegjësimi i bizneseve dhe tatimpaguesve, dhe duke vazhduar me krijimin e taskforcës për investigim në terren si një përgjigje ndaj atyre që informalitetin e shohin si mundësi fitimi.

Binaj tha në fjalën e tij, se ka ardhur koha që bizneset të kuptojnë se pagesa pa hile e sigurimeve shoqërore nuk është një shpenzim, por investim në vlerat tona si shoqëri.

“Një pagesë e vonuar për ata që kanë dhënë kaq shumë”, u shpreh Binaj.

Në mbyllje të fjalës së tij, Binaj theksoi se bashkë me bizneset dhe tatimpaguesit do të mund të krijohet një e ardhme ku sistemi i pensioneve jo vetëm plotëson nevojat e pensionistëve të sotëm, por vendos një standard për brezat që do të vijnë./ata