Policia e Shtetit ka publikuar detaje lidhur me arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, 55 vjeç, bazuar në vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas njoftimit të Policisë, Meta është ndaluar rreth orës 13:15 në zonën e Laprakës, në afërsi të “Kthesës së Kamzës”, teksa po udhëtonte me një automjet drejt Tiranës. Forcat e policisë e ndaluan automjetin dhe drejtuesi i grupit operacional i komunikoi Metës vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Policia njofton se Meta ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe ka kundërshtuar verbalisht autoritetet policore, duke lëshuar fjalë fyese ndaj tyre. Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht.

Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë./ata