Komisioni hetimor për shërbimet publike të Sterilizimit dhe të Check-up në shëndetësi vijoi sot seancën dëgjimore me dëshmitaren ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ish-drejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe ish-ministre e Shëndetësisë.

Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi e pyeti Manastirliun lidhur me një memo, shkresë që ajo i ka drejtuar ministrit Beqaj më 27 shkurt 2014, mbi gjendjen e repartit të sterilizimit për marrjen e masave për fillimin e funksionimit të tij.

Manastirliu tha se “ky informacion mbi sterilizimin është nisur në Ministrinë e Shëndetësisë për vënie në dijeni, ashtu sikurse është vënë në dijeni për shumë situata si është gjendur QSUT në mungesë të aparaturave që nuk funksiononin dhe që ishin pa mirëmbajtje”.

“Duke qenë se interesi ynë primar është shërbimi cilësor ndaj qytetarëve dhe ky informacion ka qenë në vazhdën e informacioneve të tjera për të përmirësuar shërbimin në QSUT që asetet të cilat ishin të investuara në QSUT, dhe nuk ishte vetëm reparti i sterilizimit, por ka pasur një seri pajisjesh biomjekësore të pavendosura në punë, të vendoseshin në punë dhe mbi bazën e ekspertizës përkatëse, mbi bazën e raporteve që kanë ardhur i jemi drejtuar MSHMS për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike, e cila ka kërkuar një vëmendje të veçantë”, theksoi Manastirliu.

Kryetarja Vokshi tha se, “çfarë ndodhi pasi ju e dërguat në 27 shkurt shkresën, cili ishte fati, e morët përgjigjen?”.

Manastirliu u përgjigj se “ne e kemi dërguar këtë informacion në MSHMS, ashtu siç kemi dërguar edhe informacione të tjera. Nga ana tjetër është e rëndësishme të theksoj se këto janë investime të kryera që nuk ishin vënë në funksion asnjëherë dhe kishin gjithë vëmendjen tonë dhe të ekipit të ekspertëve të QSUT-së, por edhe të atyre që janë ekspertë ndërkombëtarë, për të bërë të mundur në një kohë shumë të shpejtë që ato investime të cilat nuk ishin vendosur në punë dhe po amortizoheshin dhe qytetarët nuk mundnin të përfitonin nga këto shërbime”.

“Në punën tonë dhe në punën time drejtohemi gjithmonë nga parimi i bashkëpunimit ndërinstitucional. Dhe kjo është pjesë e bashkëpunimit ndërinstitucional mes institucioneve të varësisë dhe organit epror, që është MSHMS. Jo vetëm në këtë kuadër, por ka pasur shkëmbime të vazhdueshme në takime, mbledhje dhe këta janë pjesë e një pune, e cila bëhet për të garantuar pikërisht që shërbimet të kryhen për të garantuar që të gjitha ato investime të kryera të futen në eficiencë, sepse ato janë asete të cilat janë vendosur në një spital dhe nuk ishin vendosur në përdorim në ato momente. Pra qëndronin si asete dhe ndërkohë amortizoheshin, i binte vlera. Ajo çfarë u konstatua nga ekspertët është se në të gjitha institucionet veprojnë mekanizmat institucionalë, veprojnë sektorët që i vlerësojnë”, nënvizoi Manastirliu, duke shtuar se ajo që deputetët e komisionit i referohen si informacion ka të bashkëlidhur edhe informacionin teknik që kanë përgatitur ekspertët me gjithë vlerësimin.

“Çdo shkresë që i shkon ministrit, drejtuesit, ndiqet nga struktura teknike. Në çdo moment të punës sime jam udhëhequr nga fryma e bashkëpunimit”, tha Manastirliu.

Më tej Vokshi theksoi se, “a jeni në dijeni për njërin e komponentëve për kredinë e dytë, meqë kredia e parë ishte gjysmake, referuar edhe shkresës që i keni dërguar Beqajt ku kërkoni trajnimin e stafit njëri prej komponentëve ishte pjesë e grantit të asaj kredie do të bënte trajnimin e stafit dhe objektivi final ishte vënia në funksionim e repartit të sterilizimit”.

“Pas fillimit të punës për shërbimet e integruara, nëse e kujtoj qartë, aspekti i grantit që është konstatuar për trajnimin është alokuar në komponentët e tjerë të projektit”, tha Manastirliu.

Më tej Vokshi e pyeti Manastirliun nëse ishte bërë inventar sa i përket të gjithë instrumenteve, autoklavave gjithçkaje që dispononte QSUT, pasi ky informacion nuk i kishte ardhur, edhe pse e kanë kërkuar edhe si institucion.

Manastirliu tha se “në legjislacionin në fuqi çdo institucion, çdo vit, bën bilancin e institucionit. Inventari është një proces periodik vjetor. Bazuar në kontratën e  disponueshme në momentin që është depozituar në QSUT ne kemi zbatuar me të gjithë instancat dhe mekanizmat institucionale, pra drejtoritë përkatëse, grupet e punës për të bërë të gjithë elementët që kanë të bëjnë me zbatimin e kontratës dhe bilancin sipas ligjit të buxhetit, është punë ligjore që bën çdo institucion”.

Sa i përket trajtimit të mbetjeve, Vokshi tha se “në informacionin që është marrë deri në 2019, pavarësisht koncesionarit, janë paguar gjatë periudhës që ka funksionuar 450 milionë lekë të reja për evadimin e mbetjeve. A e dini sa ka qenë kosto e koncesionarit për të njëjtën procedurë? A informoheshit si ministre?”.

Manastirliu tha se “jam vënë në dijeni për raportet në funksion të performancës së shërbimit. Mbetjet spitalore, mbetjet në sallë janë si pjesë e kontratës dhe si pjesë e kontratave të tjera që spitalet kanë vlerësuar të realizojnë në zbatim të detyrave dhe përgjegjësive të tyre. Nuk e kuptova pyetjen, pasi kjo është një procedurë që është standarde në strukturat spitalore”./ata