Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dënoi sot arrestimin e kreut të kësaj partie, duke e cilësuar atë “akt terrorist” si dhe përpjekje për të eliminuar opozitën dhe pluralizmin në vend.

Në një konferencë për shtyp pas arrestimit të kreut të kësaj partie, Ilir Meta, ish-president, ish-kryetar i Kuvendit dhe ish-kryeministër, Blushi akuzoi kreun në SPAK-ut, Altin Dumanin si të përdorur nga mazhoranca.

Blushi deklaroi se beteja e tij për mbrojtjen e interesit kombëtar është arsyeja se pse ai është arrestuar sot.

“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt të pashembullt terrorist të konsumuar nga “Bin Landen”, në krye të SPAK, i njohur ndryshe si Altin Dumdumani që sot në bashkëpunim me kriminelët nën uniformë të narkopolicisë kryen një nga krimet më të pashembullta në Republikën e Shqipërisë, duke rrëmbyer njësoj si terroristët e Bin Landen, ish-kryeministrin, ish-kryetarin e Kuvendit dhe ish-presidentin Ilir Meta. Beteja e tij për mbrojtjen e interesit kombëtar është arsyeja se pse ai është arrestuar sot”, u shpreh Blushi.

Blushi hodhi akuza edhe ndaj Gardës së Republikës se ka shitur Metën. Sipas tij, mund të ketë pasur edhe tentativë për ta eliminuar fizikisht, pasi pamë një skuadrilje pa shenja identifikimi.

“Edhe pse me imunitet dhe gjoja nën mbrojtje nga Garda e Republikës, fatkeqësisht i tradhtuar edhe prej tyre, u rrëmbye sot sikundër e kemi parë nga dhjetëra kriminelë nën uniformë, të cilët i paralajmëroj, që nga ky koment e kanë personale me gjithë shqiptarët e ndershëm, sepse sot kanë marrë përsipër një detyrë që vetëm banditët mund të bëjnë. Më e rëndë është dhuna fizike që këta kanë ushtruar sot ndaj ish-presidentit të Republikës për të kënaqur egon e Edi Ramës. Mund të ketë pasur edhe tentativë për ta eliminuar fizikisht, pasi pamë një skuadrilje pa shenja identifikimi”, tha Blushi.

Blushi akuzoi mazhorancën se me arrestimin e kreut të PL-së po kërkon të fitojë zgjedhjet në tavolinë, ndërsa siguroi se opozita do të reagojë.

“Kjo është një tjetër provë se çdo të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sepse nuk është rastësi që Rama përdor Altin Dumanin. Sot kemi të ndaluara 2 figurat kryesore të opozitës pa fakte, pa prova, Edi Rama ka kaluar çdo vijë të kuqe”, tha ai.

Sekretari organizativ i PL-së, Artemis Peca, i cili kishte drejtimin e mjetit në momentin e arrestimit të Metës tha se Meta nuk bëri rezistencë ndaj forcave të BKH-së që kryen arrestimin e tij, por se kërkoi identifikimin e personave që e ndaluan.

Ndërsa avokati i Metës, Genc Gjokutaj u shpreh se për eliminimin politik të kreut të PL-së, janë bërë disa tentativa. Ai foli për një strategji lufte ndaj opozitës, kur tha se është përdorur e njëjta metodë ndaj liderëve të opozitës, një trajtim jo ligjor.

“Keni parasysh që goditja e parë e Metës është dhënë në pozicionin e Presidentit të Republikës, me akte të falsifikuara nga Kuvendi për ta shkarkuar. E gjitha kjo synon eliminimin politik të tij, si një pengesë e madhe për ‘Rilindjen’ dhe këtë mazhorancë. Pastaj i hynë variantit të bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit. Dështuan dhe atje dhe sot merren me një çështje penale që është një çështje e gjykuar e për të cilën ka dhënë shpjegime të hollësishme në lidhje me të”, u shpreh ai.

Sipas Gjokutajt, nuk ka asnjë kusht, kriter apo provë që të implikojë atë me këtë masë sigurimi, të cilën kanë ekzekutuar sot.

“Kjo është një e vërtetë që do të referohet edhe në aktet e dosjes. Është “sui generis” rasti, një çështje e regjistruar nga një kallëzues që ka bërë një kallëzim të rremë, i cili para SPAK-ut nuk ka qenë identik në rrëfimin e tij dhe megjithatë të dy rastet, Meta nuk implikohet. Kjo është goditje pastërtisht politike në prag të zgjedhjeve”, deklaroi Gjokutaj./ata