Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi dje qytetin e Vlorës, me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit.

Së bashku me kryetarin e bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ministri Vengu u ndal edhe në muzeun lëvizës të Forcave të Armatosura.

Vengu theksoi se, ky muze ndodhet në zemër të qytetit të Vlorës, teksa shtoi se Ministria e Mbrojtjes risolli në kujtesë nëpërmjet historisë që rrëfejnë artefaktet, sakrificën e bërë nga njerëzit që luftuan për lirinë e vendit.

Gjithashtu Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura i dhuroi më shumë ngjyra rinore kësaj dite.

“Një ndalesë e veçantë në zemër të qytetit të Vlorës ku u instalua muzeu lëvizës i Forcave të Armatosura. Me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit, Ministria e Mbrojtjes risolli në kujtesë nëpërmjet historisë që rrëfejnë artefaktet, sakrificën e bërë nga njerëzit që luftuan për lirinë e vendit, ndërsa Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura i dhuroi më shumë ngjyra rinore kësaj dite”, shkroi ministri Vengu në një postim në rrjetet sociale.

Në një prononcim për mediet, Vengu u shpreh se, “nuk ka simbol më të mirë sot në këtë 80 vjetor sesa fakti që 1800 kilometra prej Sheshit të Flamurit në një shesh tjetër të Evropës në Luksemburg, sot Shqipëria ndërmerr një hap domethënës, ndoshta më domethënësin e kësaj dekade”./ata