Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, në një postim në rrjetet sociale thekson se hapja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për grupin e parë të kapitujve themelorë, javën e kaluar, është një vendim historik për Shqipërinë.

Në postim, theksohet se një ndër fushat kryesore të mbuluara në këto negociata është liria e medias, një aspekt themelor ku kërkohet zbatimi i reformave përmes një procesi dialogu të fortë dhe gjithëpërfshirës.

Në këtë kuadër, ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato ishte sot në departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës,

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato vlerësoi rëndësinë e këtij partneriteti dhe theksoi rolin e Bashkimit Evropian në mbështetjen e lirisë së medias.

“Kënaqësi për partneritetin me prof. Mark Marku dhe departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës, për të parë se si mund të lehtësojmë së bashku një dialog gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët e medias, shoqërinë civile dhe institucionet përkatëse shtetërore. BE-ja, në partneritet me Këshillin e Evropës, do të mbështesë këtë dialog, duke përfshirë këtu ofrimin e ekspertizës së synuar për standardet evropiane,” – tha Gonzato.

Kjo nismë synon të nxisë një bashkëpunim të gjerë në funksion të reformave që përmirësojnë standardet e lirisë së medias në Shqipëri./ata