Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë në procesin e fiskalizimit, por edhe për sa i përket deklarimit real të pagave.

Në një bashkëbisedim me bizneset për rëndësinë e deklarimit real të pagave, Rama u shpreh se faza e parë e revolucionit digjital të administrimit të të ardhurave ishte fiskalizimi.

“Fiskalizimi ka sjellë zhvillime shumë pozitive, por na ka treguar që tek hilja, ne kemi si komunitet një aftësi, që sikur këto kompanitë e mëdha, Google e Microsoft ta shfrytëzonin, do kishin ecur edhe më përpara. Sepse atë që të kap shqiptari edhe në sistemin më të sofistikuar digjital, nuk ta kap dot dikush tjetër. Ama, kemi gjetur dhe ilaçin. Ky është lajmi që kam për të gjithë biznesin dhe shumë shpejt do shikoni që truket me fiskalizimin nuk do funksionojnë më sepse ka dalë inteligjenca artificiale”, tha Rama.

Rama u shpreh se ka dalë një “sy”’ që kap çdo hile dhe të gjitha transaksionet do të kalojnë nëpërmjet atij syri që është inteligjenca artificiale.

“Ai sy, nuk është i inspektorit të Tatimeve, që ka problemin që sheh aq sa do dhe ka dhe një veti, që nuk sheh fare kur ti di ta shkelësh. Madje mund të dalësh dhe sikur të ka qeveria borxh. Ky syri i inteligjencës artificiale  që është duke i futur në mes tonë, do të na ndihmojë për dy gjëra. E para, për të kuptuar kush gënjen dhe kush herë e shtyp e herë nuk e shtyp atë kasën fiskale”, tha Rama.

Po ashtu, ai tha se bizneset që janë në të drejtën e tyre dhe që janë shembull në zbatimin e ligjit nuk do të shohin më asnjë inspektor në jetën e tyre në derë.

“Kjo sepse ai sy që do t’i vëzhgojë të tërë, do të vëzhgojë çdo transaksion, çdo lëvizje parash në 24 orë edhe kur ju të jeni duke fjetur. Ai do të japë raportin që ky biznes nuk ka nevojë për asnjë lloj inspektimi, është në rregull. Duhet të përgatiteni që ne nuk do t’i pranojmë më deklarimet e pagave siç doni ju. Kjo duhet të jetë e qartë. Pra loja ‘deklaro 600 euro pagën mesatare në ndërtim’ dhe qeveria merr nga ato 600 euro atë pjesë të sigurimeve shoqërore që del dhe ja çon pensionistëve do të mbarojë”, tha Rama.

Sipas tij, “institucionet e të ardhurave nuk do ta pranojnë më këtë deklarim mbi bazën e analizës së riskut”.

“Me modelin e inteligjencës artificiale që është duke u testuar dhe që po jep rezultate bizneset do të shpëtojnë nga inspektorët dhe thirrja ime është: ju lutem të gjithë kompanive të deklarojnë pagat reale dhe të mos luajnë me zjarrin në këtë punë. Tani kjo është një lojë me zjarrin. Kjo është njësoj si faturat e energjisë elektrike”, tha ai.

Rama theksoi se edhe pse në pamje të parë kjo duket e vështirë për t’u realizuar, falë teknologjisë është plotësisht e sistemueshme”.

“Ama, nëse në këtë marrëdhënie institucionet do të ndeshen me kokëfortësi, me refuzim për të pranuar të vërtetën kur ta kthejnë deklaratën të thonë ‘jo, nuk e ke kaq’, do t’i jepet një mundësi e dytë të gjithëve. Në bazë të deklaratës së parë do dali nga analiza e riskut, do ta nxjerri modeli, do thotë: kjo kompani nuk thotë të vërtetën. Do t’i kthehet, do t’i thuhet: “nuk e ke kaq, reflekto”! Por nuk do të jetë një lojë pafund! Mosreflektimi i dytë pastaj do ketë procese të tjera që nuk janë për mua, nuk janë për qeverinë, janë për institucionet, janë dhe për organet e drejtësisë sepse ne pensionistët nuk i lëmë dot më të presin”, shtoi ai./ata