Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj ftoi bizneset të reflektojnë mbi pasojat e punës së padeklaruar, pasi kjo tendos sistemin publik të pensioneve duke e bërë të vështirë rritjen e tyre.

Sipas tij, mijëra punëtorë operojnë si pjesë e ekonomisë informale duke kontribuar në rritjen e hendekut të pensioneve.

Ata dalin në pension, vuri në dukje Binaj, pa të ardhura të mjaftueshme dhe rrisin barrën mbi skemën e sigurimeve shoqërore.

Binaj theksoi se kjo krijon një cikël varësie që mund të destabilizojë ekonominë dhe dëmtojë kohezionin social.

“Administrata Tatimore ka nisur një fushatë ndërgjegjësuese. Nga data 1 tetor, 2024 kemi njoftuar nëpërmjet në mesazhi të personalizuar tatimpaguesit që të deklarojnë me realitet listëpagesat mujore. Afati i përmirësimit të listëpagesave ishte 21 tetori 2024”, tha ai.

Sipas Binajt, tatimet do të analizojnë çdo listëpagesë, sipas modeleve të riskut dhe do të njoftojë çdo tatimpagues që ka punonjës të deklaruar me pagë minimale dhe profesione të paguara dukshëm nën realitetin e tregut.

“Për sipërmarrjet që nuk do të reflektojnë administrata do të angazhojë strukturat hetimore e saj të hetimit në kuadrin e një taskforce të përbashkët me Inspektoratin e Punës. Çdo biznes që deklaron pagat në rregull nuk duhet të shqetësohet në këtë fushatë“, tha kreu i DPT-së.

Qasja jonë, vijoi ai, do të jetë sa më klinike, duke investiguar vetëm sipërmarrjet që dalin nga modeli i riskut.

“Qëllimi mbetet rritja e kontributeve shoqërore për të mundësuar rritjen e pensioneve. Puna e padeklaruar është jo vetëm çështje ligjshmërie, por edhe e drejtësisë sociale dhe do të marrim hapa proaktivë për të adresuar sfidat”, deklaroi Binaj./ata