Një ditë pas mbledhjes me Kryesinë dhe Grupin Parlamentar, kryetari i Komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj po zhvillon takime me krerët e degëve. Në mbledhje po diskutohet mbi zgjedhjet vendore dhe propozimet e tyre për listat e këshillave bashkiakë dhe kandidatët për 61 bashkitë.

 

 

Mbledhja ka nisur në orën 12:00, fillimisht me degët e jugut të vendit. Takimet do të zgjasin përgjatë gjithë pasdites dhe do të diskutohet me krerët e degëve të veriut, e ndërsa për në orën 18:00, që do të jetë mbledhja e fundit, është lënë takimi me krerët e degëve në Tiranë.

Alibeaj po i zhvillon këtë takime në mënyrë që të vendosë se si do të dalin në këto zgjedhje. Deri më tani nuk ka asnjë vendim, por vetëm disa opsione të hedhura në tryezë mbledhjen e djeshme. Një ndër propozimet është që të dilet me kandidatë dhe me listat për Këshillat Bashkiakë në 61 bashki, por ka pasur edhe 2 opsione të tjera. Një ditë më parë, Alibeaj i ktheu përgjigje Berishës, duke i bërë të qartë se i ka kandidatët për 61 bashki. 

 

Opsioni i dytë që është diskutuar është dalja vetëm me anëtarë për këshillat bashkiakë, një tezë e hedhur nga pak persona në mbledhje. Skenari tjetër i lënë hapur për diskutime, është ai i propozuar nga deputetë dhe anëtarë të Kryesisë, sipas të cilëve duhet të dalin me listat për këshillat bashkiakë në 61 Bashki, por jo për kryetar bashkie në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Pra, në disa Bashki t’u lihen kandidatëve të ‘Rithemelimit’, një kërkesë që ka ardhur kjo edhe nga degët e partisë, si ajo në Vaun e Dejës apo e Elbasanit.

 

Deri më tani ka vetëm opsione dhe jo vendime nga ana e PD-së zyrtare, e ndërsa duhet theksuar se koha nuk është në favor të Alibeaj!  Kjo sepse në 27 mars përfundon afati zyrtar i regjistrimit dhe depozitimit në KQZ të listave për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiak.